Në raport mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të përbashkëta në Bruksel duket se po përsëritet tradita e mëparshme që shtetet, sa herë që diçka shkon mirë, meritat t’i marrin për vete ndërsa kur gjërat ngecin fajin ia lënë Komisionit Evropian.
Kjo po ndodh tash edhe për ngecjet në fillimin e fushatës së vaksinimit masiv të qytetarëve në shtetet e BE-së kundër COVID-19. Shtetet anëtare në verë kishin rënë dakord që Komisioni Evropian, në emër të tyre, të siguronte vaksinat ndërsa ato në mënyrë të barabartë, me të njëjtat kushte, sipas numrit të banorëve, t’u ndahen shteteve anëtare. Por kur tash ka nisur vaksinimi, numri i atyre që kanë marrë këtë kurë është shumë, shumë i vogël, madje në shumë shtete më i vogël sesa numri i rasteve të reja ditore.
Nga Komisioni Evropian janë mbrojtur se vaksinat janë porositur në pajtim me shtetet anëtare dhe ato në secilën fazë ishin pjesë e procedurave.
Kritikat e mëdha kanë ardhur nga Gjermania, vendi ku është zbuluar vaksina e parë e suksesshme nga kompania “BioNTech”, në bashkëpunim me atë amerikane “Pfizer”. Disa udhëheqës gjermanë kanë shtruar pyetjen se “si t’ua shpjegojmë qytetarëve se te ne është krijuar vaksina, kurse vendet e tjera kanë ardhur më shpejt sasitë e nevojshme”.
në Belgjikë, ku prodhohet sasia më e madhe e vaksinave të “Pfizerit” për Evropën, thonë se nuk kanë asnjë përparësi nga fakti se miliona vaksina në ditë prodhohen në këtë shtet, ndërsa në dispozicion për Belgjikën në fillim janë vetëm disa mijëra doza.
E përballur me kritikat nga disa shtete anëtare se nuk ka porositur doza të mjaftueshme të vaksinave të duhura, Komisioni Evropian të premten ka arritur edhe një marrëveshje tjetër me të cilën ka siguruar 300 miliona doza nga “BioNTech”/”Pfizer”. Fajin për ngecje në procesin e vaksinimit ua ka lënë shteteve anëtare. BE-ja nëpërmjet “prokurimit të përbashkët” ka porositur deri më tash më shumë se 2.3 miliardë doza vaksinash, por shumica nga kompanitë të cilat ende nuk e kanë përfunduar prodhimin dhe licencimin e tyre.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Van der Leyen, ka përsëritur se “BE-ja ka siguruar më shumë sesa duhet dhe do të ketë mjaft për të vaksinuar tërë popullatën e BE-së”.
Në këtë mënyrë, ajo është mbrojtur nga kritikat se KE-ja ka porositur pak doza nga vaksinat të cilat kanë marrë autorizimin për përdorim në BE.
“Kush ka mundur ta dijë në verë se cilat vaksina do të jenë të suksesshme. Prandaj edhe kemi bërë marrëveshje me më shumë prodhues potencialë”, ka thënë ajo.
Kryetarja e KE-së ka thënë se shtetet anëtare “kanë obligim ligjor” që të mos bëjnë kontrata individuale me prodhuesit e vaksinave, sepse janë marrë vesh që porosia të bëhet në mënyrë të përbashkët përmes Komisionit Evropian. Por në Komisionin Evropian nuk kanë dashur ta kritikojnë në mënyrë direkte Gjermaninë, e cila vet ka bërë të ditur se ka bërë një marrëveshje me “BioNTech”/”Pfzifer” për 30 milionë doza shtesë, jashtë sasisë që Gjermanisë do t’i takonte nga kontingjenti i siguruar nga BE-ja.
KE kanë përsëritur se do të ketë doza edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe ato nga fqinjësia, dhe se negociatat e para tashmë po zhvillohen për shpërndarje në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Por nuk kanë dhënë detaje se me cilat vende dhe në cilin afat kohor do të sigurohen vaksinat.
“Qasja jonë është se nuk do të fitojmë kundër pandemisë ne në BE nëse nuk fitohet në fqinjësinë tonë”, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke shprehur kështu vullnetin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor.
Siç kanë sqaruar disa herë “donacionet” për shtetet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen nga shtetet anëtare nga kontingjenti i siguruar përmes prokurimit të BE-së.
Në Bruksel thonë se “po vazhdohen bisedimet që të sigurohet që të gjitha vendet e Ballkanit të kenë donacione në të njëjtën kohë”.
Deri më tash, Serbia ka qenë i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit, i cili ka siguruar një sasi të vaksinave në mënyrë vetanake dhe ka nisur vaksinimin e qytetarëve. Në BE rikujtojnë po ashtu se sasia më e madhe e vaksinave për vendet e Ballkanit do të vijë përmes nismës së përbashkët globale COVAX, por që do të vonohen në krahasim me ato që janë siguruar për shtetet e Bashkimit Evropian./Koha.net