Komisioni Evropian po i përcjell nga afër negociatat e Serbisë me Rusinë për një marrëveshje për tregti të lirë, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.
Gjatë vizitës në Beograd, fundjavën e kaluar, kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë midis Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik, më 25 tetor.
Ky Union përbëhet nga Rusia, Bjellorusia, Kirgizia, Kazakistani dhe Armenia.
Medvedev kërkon bashkëpunim ekonomik me Serbinë
“Po e përcjellim me kujdes situatën dhe po e diskutojmë atë me autoritetet serbe”, tha Kocijançiq.
“Nga Serbia pritet që të përafrohet me politikën e BE-së”, theksoi ajo, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, shtoi Kocijançiq, Serbia mund të bëjë marrëveshje me vendet ose organizatat e tjera, përpara se të bëhet anëtare e BE-së.
“Në kontekstin e negociatave të pranimit, Serbia obligohet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së jashtme në ditën e pranimit në BE. Tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me palët e treta nuk është një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që vlen për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”, tha Kocijançiq.
Sipas saj, BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë, sepse tregtia e ndërsjellë përbën 63 për qind të tregtisë totale të Serbisë.
Ndërkaq, me marrëveshjen me Unionin Ekonomik Euroaziatik është thënë se Serbia mund të ketë qasje në një treg prej 180 milionë konsumatorësh.