Gjoba të mëdha, mbyllje të detyruar, çmontim, BE-ja do të propozojë të martën një arsenal rregullash shkurajuese dhe sanksionesh për ndëshkimin e gjigantëve digjitalë të akuzuar për abuzim pozicioni dominues dhe kontroll të pamjaftueshëm mbi përmbajtjen e shpërndarë në internet.
“Evropa duhet të detyrojë rregullat e veta dhe të marrë fatin e saj në dorë”, paralajmëroi eurokomisioneri për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton dhe zëvendëspresidentja për Konkurrencën, Margrethe Vestager, javën e kaluar në një forum të përbashkët.
Projekti i pritur me padurim parashikon veçanërisht ndalime dhe detyrime që do të vendosen vetëm për një duzinë kompanish më të fuqishme, përfshirë të famshmin Gafam: Google, Apple, Facebook, Amazon dhe Microsoft, që tentojnë të detyrojnë ligjin e tyre ndaj konkurrentëve.
Sipas burimeve evropiane, këto sanksione do të shkojnë deri në 10% të xhiros për shkelje serioze të konkurrencës dhe, në raste ekstreme, mund të çojnë në një detyrim për të shitur aktivitetet në Evropë.
Përsa i përket përmbajtjes së paligjshme në internet, gjobat mund të arrijnë në 6 % të xhiros dhe madje edhe ndalimin e funksionimit në tregun evropian, në rast të shkeljes serioze dhe të përsëritur, që rrezikon sigurinë e qytetarëve evropianë.
Ky projekt do të negociohet ende për të paktën një vit me Parlamentin Evropian dhe shtetet anëtare.