Komisioni Evropian, në një letër të drejtuar në përgjigje të shqetësimeve të qeverisë franceze, e siguroi Francën se propozimi i saj i korridorit të ri transeuropian për të rilidhur Irlandën me kontinentin pas Brexit, nuk i shmang portet franceze.
”Propozimi i Komisionit ka si objektiv kryesor vazhdimësinë e korridorit Deti i Veriut – Mesdhe, midis Irlandës dhe pjesës kontinentale të Bashkimit Europian”, deklaroi komisionerja për Transportet, Violeta Bulc në një letër dërguar ministres franceze, Elisabeth Borne, e konsultuar sot nga media, shkruan ATSH.
Komisioni propozoi më 1 gusht për të përshtatur planin e korridorit transeuropean Deti i Veriut-Mesdhe, që rilidh kryesisht Irlandën dhe Skocinë në Beneluks dhe në Marsejë, në parashikim të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Qëllimi është të promovojë lidhjet direkte detare, duke shmangur në këtë mënyrë kalimet në të ardhmen në pikat hyrëse dhe dalëse doganore të Britanisë së Madhe.
Por më 10 gusht, ministrja franceze e Transporteve i shkroi një letër Bulc, se ishte e habitur se nuk i kishte parë portet franceze në këtë plan. Ajo e cilësoi propozimin ”jo të papranueshëm’’ për Francën.
”Projekti i korridorit të ri është i fokusuar në shërbimet detare ekzistuese”, sqaroi Bulc në letrën e saj, e cila ia dërgoi gjithashtu presidentit të rajonit Hauts-de-France, Xavier Bertrand.