Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e tarifave të reja prej 20 miliardë dollarësh kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës si kundërmasë ndaj subvencioneve për avionët Boeing.
BE-ja ka nisur një konsultim publik në një listë prej 11 faqesh të importeve amerikane që mund të synojë për tarifa shtesë për mallrat nga çanta e deri tek helikopterët.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Daniel Rosario, tha se ekzekutivi evropian duhet të kërkojë nga një arbitër i Organizatës Botërore të Tregtisë që të përcaktojë nivelin e kundërveprimeve që mundet të vendoset për palën tjetër.
“Në përgjithësi, lista përfaqëson një shumë afro 20 miliardë dollarë amerikanë të eksporteve amerikane në BE. Tani, kur është fjala për vendimin e mundshëm për nivelin e kundërmasave të SHBA-së, ky vendim duhet të merret i ndikuar nga vendimi përfundimtar i arbitrit të OBT-së që e presim në të ardhmen e afërt”, tha Rosario, përcjell Telegrafi.
Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë zhvilluar një luftë rreth 15 vjeçare në OBT duke akuzuar njëra-tjetrën për subvencione ndaj kompanive Boeing dhe Airbus.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, propozoi një listë prej shtatë faqesh për vendosjen e tarifave të reja me vlerë rreth 11 miliardë dollarësh mbi një sërë eksportesh të Bashkimit Evropian.