Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, rishprehë përkrahjen e Bashkimit E vropian për Kosovën në krijimin e kushteve për hapjen e vendeve të reja të punës.
“Barrierat e bizneseve duhet të zgjidhen brenda një kohe të arsyeshme. Kosova ka potencial shumë të madh biznesor, ka kompani ambicioze, talent dhe është afër tregjeve të BE-së. Kosova vazhdimisht ka performuar më mirë se sa shtetet përreth në aspekt të zhvillimit ekonomik duke shënuar zhvillimin ekonomik deri në pesë përqind më të lartë,” është shprehur Apostolova, raporton EkonomiaOnline.
Sipas saj, investimet janë me rëndësi kyce për vendet e reja të punës.
“Investimet janë me rëndësi kyce për vendet e reja të punës. Takimi i sotëm synon që të paraqet botimin e parë të sfidave në mjedisin e biznesit në Kosovë, në Telekom, banka, sigurime, derivate, miniera dhe xehe, duke dhënë rekomandime konkrete për atë se si të përmirësohet mjedisi i biznesit në Kosovë. Dhe, ky duhet të shërbejë si instrument për Qeverinë se si të zhvillohet mjedisi i biznesit në Kosovë.”
“Qeveria duhet të mundësojë të jetë kujdestare e këtij zhvillimi, të ofrojë edukim cilësor dhe stabilitet ligjor.”
Këto komente, Apostolova i bëri në konferencën “Drejt një klime miqësore të biznesit dhe investimeve në Kosovë”.
Erzin: Investimet e huaja kanë rënë në Kosovë
Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE) në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë (BE) dhe Bankën Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim (BERZH) kanë mbajtur konferencën e nivelit të lartë “Drejt një klime miqësore të biznesit dhe investimeve në Kosovë, ‘White Book 2018’”.
President i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Robert Erzin, tha se duke pas parasysh rënien e investimeve të huaja në Kosovë viteve të fundit, shpresojnë që botimi i “White Book” do të ndikojë në tërheqjen e investitorëve.
Erzin tha se përmes këtij dokumenti përveç që do të njoftoj bizneset për mjedisin biznesor në Kosovë do të ndihmojë edhe në vlerësimin e punës së qeverisë.
“Shpresojmë që ky libër dhe ky takim do të jetë një platformë e suksesshme siç është treguar e suksesshme në shtetet e regjionit. Kosova po shënon përparime edhe në GDP, por megjithatë prodhimi bruto për kokë banori mbetet i ulët.”
“Kemi parë që investimet e huaja kanë rënë në Kosovë, gjë që thotë se ne duhet të bëjmë përpjekje që të tërheqim investitorë.”
“Ne jemi një grup për më shumë se 20 kompani të ndryshme dhe ne kemi bërë investime në vlerë prej miliardave. Qëllimi i kompanive tona është që në Kosovë të zhvillojmë ekonominë dhe mjedisin e biznes-bërjes në Kosovë.”
“Ëhite Book 2018” synohet të kontribuoj në zhvillimin ekonomik, transparencës së rregullave të tregut të hapur, uljes së pengesave që vijnë për të investuar, dhe krijimin e hapësirës së barabartë për të gjitha bizneset në mënyrë që investitorët e huaj të vijnë të investojnë në Kosovë.
“Për ne do të shpërbej si një platformë, që nuk do ta bëjmë vetëm një herë, por çdo vit dhe do të shërbejë si një pasqyrë e pozicionimit të kompanive. Do të njohim ndryshimet dhe avancimet që bën qeveria e Kosovës”
“White Book” është dokument i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve relevante identifikon barrierat biznesore, me të cilat investitorët ballafaqohen në baza ditore në Kosovë.
Për më shumë, ky dokument i cili është duke u publikuar për herë të parë në Kosovë, ofron edhe rekomandime konkrete për eliminimin e barrierave në harmoni me praktikat dhe direktivat Evropiane.