Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për përpjekjet e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës që të sjellin drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale si dhe për rritjen e efikasitetit të proceseve të drejtësisë tranzicionale.
Ajo këto deklarata i bëri sot gjatë një takimi me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe me përfaqësuese të organizatave të grave që punojnë me viktimat.
“Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit, qasja e tyre në kompensim dhe drejtësi ka qenë një çështje e lënë anash për një kohë të gjatë, por përkushtimi i institucioneve për zbutjen e pasojave të konfliktit të armatosur në Kosovë, edhe pse me vonesë, ka bërë tani së voni disa hapa të rëndësishëm përpara”, tha Apostolova.
Ajo shprehu bindjen se institucionet do të tregojnë një vëmendje të shtuar ndaj procesit pesëvjeçar të aplikimit për status ligjor nga Komisioni i Qeverisë për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës duke ndërmarrë të gjitha veprimet për adresimin e kësaj kategorie më konsideratat më të larta, pa vonesa.