BE: Raportet me Serbinë definojnë të ardhmen evropiane të Kosovës

Prishtinë | 02 Nën 2022 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian vazhdon mbështetjen për Kosovën dhe afrimin e saj me vendet evropiane.

Kosova gjatë vitit 2022, do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aplikimi i Kosovës për t’iu bashkuar shteteve evropiane do të bëhet gjatë muajit dhjetor.

Për këtë, një zyrtar nga zyra për marrëdhënie me publikun e Bashkimit Evropian, në një përgjigje për Portali Dukagjini, ka thënë se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE, varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me shtetin fqinj, Serbinë.

“BE-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në afrimin me BE-në, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

“Rruga e Kosovës dhe e Serbisë varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve”, vijon përgjigja.

Qeveria e Kosovës e ka vënë si prioritet aplikimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Se synimet e Kosovës janë të qarta, e ka pohuar edhe BE-ja.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit.

Sipas tij, Traktati për Bashkimin Evropian (Neni 49), është i qartë për kriteret dhe procedurat për të aplikuar për t’u bërë anëtar i BE-së.

“Aplikimet i dorëzohen Këshillit. I takon Këshillit të shqyrtojë një kërkesë të tillë, nëse do të paraqitet”, shtoi ai.

“Pak gjasa për marrje të aprovimit”

Ibrahim Gashi – profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, në një përgjigje për Portali Dukagjini, ka thënë se gjasat janë të pakta që kërkesa e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat të marrë aprovimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Kjo për shkak të qëndrimeve të ashpra të disa shteteve anëtare të BE-së kundër çfarëdo trajtimi të Kosovës si shtet nga ana e institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Për momentin gjasat nuk duken shumë të mëdha që një kërkesë e tillë e Kosovës për marrje të statusit të vendit kandidat do të marrë aprovimin e të gjitha shteteve edhe për faktin se shtetet kryesore të BE-së shumëçka në raport më Kosovën e kanë ndërlidhur me dialogun dhe suksesin e tij”, ka thënë Gashi.

Megjithatë, ai beson se ideja kosovare për aplikim për t’u anëtarësuar në BE, nuk është e parakohshme.

Ai ka thënë se kjo ide duhet të shoqërohet me një aktivitet lobues tek pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

“Ideja për aplikim të Kosovës për anëtarësim ne BE nuk është e parakohshme, por duhet të shoqërohet me një aktivitet të fuqishëm lobues tek pesë vendet që nuk e kanë njohur KS, në mënyrë që të njëjtat të mos reagojnë kundër këtij aplikimi”, shoti ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka diskutuar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin Kurti ka thënë se ky proces do të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Sipas tij, ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror, sa i Qeverisë, ashtu edhe i qytetarëve të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE.

“Sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kjo, pos që ishte bërë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të njëjtën e ka konfirmuar edhe Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Aplikimi i Kosovës për t’iu bashkuar shteteve evropiane do të bëhet gjatë muajit dhjetor.

“Kemi filluar përgatitjet për ta dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si hap i parë, e me synim marrjen e statusit të vendit kandidat. Aplikimi do të dorëzohet këtë vit, brenda muajit dhjetor. Ndërkohë, në fund të muajit gusht, është themeluar edhe Komisioni Ekzekutiv, i cili po merret me përgatitjet e këtij aplikimi. Qeveria po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshme në informimin e aleatëve dhe Presidencës Çeke të BE-së, për objektivin për të aplikuar”, ka thënë Kadiu për Portali Dukagjini.

Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Greqia.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Deri tash ajo është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato më të rëndësishme financiare dhe sportive.

Kosova është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Doganave, Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, Federatës Botërore të Futbollit, Federatës Evropiane të Futbollit, Komitetit Olimpik.

Në anën tjetër, Kosovës nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), Agjencisë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Të ngjashme