BE: Shqiptarët optimistë për ekonominë

Prishtinë | 14 Gus 2017 | 15:14 | Nga

Sipas Komisionit Europian, pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se situata ekonomike e vendit është e mirë. Përfundimi ka dalë nga një vrojtim, i kryer nga eurobarometër, për llogari të Komisionit Europian.

Sipas vrojtimit, 55 % e shqiptarëve mendojnë se gjendja ekonomike e Shqipërisë është përgjithësisht e mirë, 44 % e vlerësojnë atë përgjithësisht të keqe, ndërsa 1 % nuk ka dhënë asnjë vlerësim.

Eurobarometër ka pyetur 1083 veta, gjatë periudhës nga 20 deri në 28 maj të këtij viti, që përkon me çeljen e fushatës elektorale. Intervistat janë zhvilluar ballë për ballë dhe rezultatet u publikuan në faqen zyrtare të Komisionit Europian dy ditë më parë.

Ky është një vrojtim periodik, që komisioni e bën për të gjitha vendet anëtare dhe ato kandidate. Sipas tij, krahasuar me vjeshtën e vitit të kaluar, pjesa e shqiptarëve që e vlerësojnë të mirë gjendjen ekonomike është rritur me 20 pikë përqindje.

Por rezultati më surprizë, është se shqiptarët e vlerësojnë më pozitivisht ekonominë edhe se sa qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, ndonëse i kanë të ardhurat për frymë 3.3 herë më pak se ta.

Sipas vrojtimit, në BE, janë vetëm 45 % e qytetarëve që e vlerësojnë si të mirë situatën ekonomike të vendit të tyre, ndërsa 51 % mendojnë se ajo është e keqe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme