BE zbulon agjendën e takimit të 27 shkurtit në Bruksel

Prishtinë | 22 Shk 2023 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 27 shkurt në Bruksel në kuadër të dialogut, ku do të diskutojnë për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve, të njohur si Plani Evropian.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.

Ndërsa, pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.

“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.

Në fund të takimit bëhet e ditur se do të ketë deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiq.

Të ngjashme