BE: Zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës të organizohen sa më shpejt

Prishtinë | 17 Gus 2023 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës duhet të organizohen sa më parë dhe me pjesëmarrjen e plotë të serbëve të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve urgjente për qetësimin e tensionit mes dy palëve, është porositur nga Brukseli.

“Kur do të ndodhë varet nga aftësia e të dyja palëve për të përmbushur kërkesat, pra kriteret që u janë vendosur”, ka thënë zëdhënësi për punë të jashtme të BE-së, Peter Stano.

Ai thotë se urgjenca duhet të njihet në terren, nga qytetarët dhe politikanët, transmeton Paparaci.

“Gjithçka që bëhet në kuadër të dialogut nuk është për të kënaqur Brukselin apo shtetet anëtare të BE-së apo bashkësinë ndërkombëtare, por për të përmirësuar jetën në Kosovë dhe Serbi, që lidhet me përparimin e mëtejshëm të dy palëve në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Stano.

Natyrisht, siç thotë ai, ka një ndjenjë urgjence, ka ekzistuar edhe para përshkallëzimit të fundit dhe është përcjellë te partnerët tanë.

“Prandaj, institucionet e BE-së, 27 vende evropianë dhe partnerët e tjerë, mbi të gjitha SHBA, kanë ndjenjën e urgjencës për të përfunduar hapat e nevojshëm drejt qetësimit të tensioneve dhe kthimit në dialog. Dhe jo për shkak të zgjedhjeve të BE-së vitin e ardhshëm, por që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të përfitojnë prej saj, në mënyrë që të dyja palët të vazhdojnë të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve dhe kështu të vazhdojnë. Të dyja palët duhet t’i kthehen dialogut normal dhe të vazhdojnë të punojnë në agjendën e BE-së. Sepse nëse nuk ka përparim në dialog, nuk ka përparim as në integrimin në BE”, ka thënë Stano.

Të ngjashme