Ditën e hënë (2 dhjetor) artistja shqiptare me famë internacionale, Bebe Rexha, vizitoi Shqipërinë.
Ajo qëndroi dy ditë radhazi në shtetin e saj amtar, duke vizituar familjet e prekura nga tërmeti, teksa premtoi rindërtimin e dy shtëpive që ishin në gjendje të mjerueshme.
Pas shumë vizitash e një kohe të bukur që kaloi në fshatrat e Shqipërisë, Bleta (emri i vërtetë i këngëtares), të martën u largua nga shteti shqiptar.
Kjo pasi ajo duhet të vazhdonte turneun e saj të koncerteve në bashkëpunim me Jonas Brothers dhe mbrëmë me t’u kthyer ishte prezente në Chicago.
Ndërkohë, ditën e sotme (e mërkurë), artistja Rexha ka ndarë me ndjekësit ca momente nga vizita në shtetin amë dhe siç thotë është e impresionuar nga mikpritja që iu bë nga ana e shqiptarëve.
“Dje u ktheva nga një udhëtim dyditor në Shqipëri duke parë dëmin e tërmetit dhe takimin me ata që ishin të prekur nga ky tërmet. Unë jam e impresionuar nga mirësia e njerëzve atje, si dhe prej të gjithëve në mbarë botën që kanë dhuruar”.
“Ne nuk mund t’i falënderojmë mjaftueshëm. Ne kemi vendosur t’i ndërtojmë dy shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, si fillim. Ju lutemi vazhdoni të përhapni vetëdijen për këtë tragjedi dhe ndihmën që i duhet Shqipërisë. Unë e dua vendin tim. Të dua Shqipëri”, ka shkruar në postimin e saj 30-vjeçarja, transmeton telegrafi.
Bebe u shpreh vazhdimisht falënderuese dhe krenare për origjinën e saj, kurse në një të ardhme të afërt nuk e ka përjashtuar mundësinë të vizitojë edhe Kosovën.