Skuadra e David Beckhamit, Inter Miami, do të nisë garat në ligën MLS të SHBA-së në vitin 2020 dhe së fundi janë zbuluar edhe uniforma dhe logoja e klubit.
Derisa MLS po vazhdon të rritet, futbolli mund të jetë i vështirë të shitet në Floridën Jugore dhe për këtë, Beckham po kërkon emra të mëdhenj për të joshur adhuruesit e për të rritur të hyrat nga shitja e biletave.
Një emër që e ka në mendje është ish-lojtari i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo.
Portugezi këtë verë firmosi kontratë trevjeçare me Juventusin, ndërsa u transferua nga Real Madridi për 117 milionë euro.
Ai do të ketë edhe një vit e gjysmë kontratë të mbetur kur Miami do të nisë garat në SHBA, dhe kështu do të jetë një shënjestër e mundshme për skuadrën amerikane. Po ashtu, për Ronaldon do të ishte një lëvizje e mirëseardhur në fund të karrierës, pasi do të mbushte 35 vjet në atë kohë.