Lionel Messi e Cristiano Ronaldo janë shënjestra potenciale për Inter-Miamin, ka thënë bashkëpronari i klubit David Beckham, duke treguar për ambiciet globale që ka klubi.
Inter-Miami po pret debutimin e shumëpritur në ligën MLS të SHBA-së gjatë kësaj fundjave.
Shtatë vjet pasi nisi procesu torturues, “projekti” i Beckhamit më në fund do të dal në fushë të dielën, kur Inter-Miami të përballet me Los Angeles FC në Los Angeles në ndeshjen e parë të veten në stinorin e rregullt të ligës MLS.
Më tepër se 13 vjet që kur shokoi botën e futbollit duke u largua nga Real Madridi për të firmosur me klubin amerikan Los Angeles Galaxy, Beckham mbetet emri më i madh në ligën MLS.
Por, ndoshta jo edhe për shumë gjatë, pasi siç ka thënë kapiteni i Anglisë dhe Manchester Unitedit, klubi i tij synon të transferojë emra të mëdhenj.
“Ne vërtetë besojmë në përbërjen që kemi, jemi shumë të lumtur me lojtarët që kemi, por natyrisht se kemi folur edhe për mundësinë që të transferojmë emra të mëdhenj nga Evropa në qytetin tonë dhe do ta bëjmë këtë. Çdo skuadër në botë do të dëshironte Messin dhe Ronaldon në radhët e veta. Por, gjithmonë kemi folur edhe se jemi ndryshe nga klubet tjera, por jam i sigurt se çdo pronar thotë të njëjtën gjë. Këtë do të mundohemi ta bëjmë dhe nëse kemi mundësinë për të sjellë emra të mëdhenj atëherë do të ishte mrekulli. Kemi një grup të pronarëve që ka vizion dhe dëshiron të ketë sukses dhe ka shpirtin e garës që dëshiron të ketë lojtarët më të mirë”, ka thënë Beckham në një intervistë për agjencinë Reuters.
MLS do të festojë përvjetorin e 25-të këtë stinor dhe liga ka rikujtuar sërish se pa ndikimin e Beckhamit nuk do të ishte në këtë nivel.
“Pa Davidin, MLS-ja nuk do të ishte ku është sot”, ka thënë komisioneri i MLS-së, Don Garber.
Si pjesë e marrëveshjes së transferimit te LA Galaxy, Beckhamit iu dha edhe mundësia për të blerë një klub në ligën MLS me çmim të reduktuar.
Në vitin 2013, u njoftua se Beckham ka shfrytëzuar opsionin e tij dhe është përcaktuar për një skuadër në Miami. Por, nisën problemet lidhur me vendin se ku do të ndërtohet stadiumi.
“Unë duhet të pranojë se gjatë shtatë viteve të fundit kishte momente të dyshimit. Kishte shumë frustrim. Por, nuk ishte asnjë moment ku doja të largohesha, ndonëse nganjëherë dukej se nuk do të realizoheshim gjërat”, ka thënë Beckham. “Kishte edhe një moment kur mendova se Miami nuk është vendi i duhur”.
Ndonëse Beckham ka bërë përvojë të madhe si futbollist, duke luajtur në garat më të forta, si Ligën e Kampionëve e Kupën e Botës, ai pranon se gjëja më e vështirë që ka bërë ka qenë blerja e një klubi në ligën MLS të SHBA-së dhe ngritja e tij.
“Pa dyshim. Është gjëja më e vështirë. Ishte sfidë e vërtetë, por një që e dija se do të ndodhte. E dija se kokëfortësia ime do të më dërgonte në cak. Ne kemi punuar shumë, veçanërisht në dy vitet e fundit, për të realizuar këtë dhe për të krijuar diçka të veçantë. Këtë fundjavë do të vijë shpërblimi”, ka thënë Beckham.
Klubi ka ambicie për të qenë një markë globale siç ishte Beckhami.
“Unë dua të krijoj një trashëgimi që fëmijët e mi mund të shohin pas 20 vjetëve dhe të thonë babai im ndërtoi këtë klub”, ka thënë Beckham.