Bedri Krasniqi lirohet nga akuzat për vrasje e dy policëve, 8 vjet burg për Alban Dezdari

Prishtinë | 13 Sht 2023 | 13:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bedri Krasniqi është liruar nga akuza për vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe një të Kosovës.

Arben Dizdari është shpallur fajtor për veprën penale vrasje dhe është dënuar me tetë vite burgim, dënim ky që do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton Ekonomia Online.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur. Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

“Pas shqyrtimeve gjyqësore të mbajtura, trupi gjykues me datën 13.09.2023 shpall publikisht këtë aktgjykim. Në emër të popullit i pandehuri Bedri Krasniqi lirohet nga akuza për pikën një dhe dy nga se nuk është provuar se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”.

“I pandehuri Arben Dizdari shpallet fajtor për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasëse. Gjykata në bazë të kodit penal dhe kodit të procedurës penale të pandehurin Arben Dizdari e gjykon me burgim me kohëzgjatje prej tetë viteve në të cilin do të llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim”, tha kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Të ngjashme