Begaj uron Kurtin, kërkon bashkëpunim mes partive politike në Kosovë

Prishtinë | 08 Qer 2026 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj e ka uruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare.

Në mesazhin e tij, Begaj ka përgëzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik.

“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës! Përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik, që dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës”, shkroi Begaj në Facebook.

Ai theksoi rëndësinë që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës.

“Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe evropian”, shtoi kreu i shtetit shqiptar.

Të ngjashme