Hisja e Kosovës në pasurinë e ish-Jugosllavisë duhet të jetë temë e negociatave me Serbinë, mirëpo për fillimisht duhet të arrihet konsensus politik, shkruan Ekonomia Online.
Shefat e Grupeve Parlamentare kanë shpalosur qëndrimet e tyre lidhur me bisedimet me shtetin fqinjë sa i përket ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë.
Avdullah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se çështje të tilla duhet të jenë në listën e prioriteteve të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Mirëpo sipas Hotit, për shkak të mos zgjidhjes së çështjes së udhëheqësit të bisedimeve nuk po mund të kalohet në fazën e trajtimit të prioriteteve të Kosovës.
“Besoj se kjo temë dhe plot tema tjera siç është tema e të pagjeturve, mandej problemet teknike që ende kemi, marrëveshje të arritura por të pazbatuara. Duhet të bëhet një listë e prioriteteve të tilla, por fatkeqësisht ne nuk po kalojmë në atë fazë fare sepse jemi duke u marrë se kush t’i udhëheqë bisedimet”.
Sipas udhëheqësit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, mungesa e konsensusit në sferën politike do të ndikojë në shtyrjen e trajtimit të çështjeve si ndarja e pasurisë së ish-Jugosllavisë apo edhe dëmet e shkaktuara nga Serbia.
Krasniqi madje shtoi se në trajtimin e këtyre temave do të duhej të ishin të përfshirë ekspert e grupe të shumta punuese.
“Është absolutisht jetike që të diskutohet për të gjitha çështjet edhe për reparacionet e luftës për dëmet që i ka shkaktuar Serbia këtu gjatë luftës edhe për çështjet e ndarjes së pasurisë, por të gjitha këto nuk bëhen çështje vetëm prej një prizmi në deklarimet nga zyre këto çështje bëhen kur ka një diskutim i cili i vendos interesat nacional shtetëror dhe qytetarë para interesave partiak dhe politik”.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, tha se qëndrimi i Kosovës duhet të jetë i atillë që Serbia të ndjejë presion e jo të ndodh e kundërta, që Kosova të ndihet fajtore për atë që ka ndodhur.
“Kjo është dashur të jetë pikënisja e Qeverisë së Kosovës, sepse kur nisemi nga ajo se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë ia dobëson pozicionin Serbisë dhe Serbia do të shpallet si fajtore për agresionin që ka ndodhë në Kosovë”.
“Por për shkak të pakujdesisë së Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tona dhe na kanë krijuar pozicion të pafavorshëm neve, thuaj se ne kemi qenë fajtori për çka na ka bërë Serbia neve gjatë viteve 98-99 kurse e vërteta është e kundërta”.
Se çështja e pasurisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia duhet të diskutohet në dialog me Serbinë nuk e mohon as Ahmeti Isufi, nga AAK-ja.
Ai tha se çështjet e pazgjidhura duhet të jenë pjesë e bisedimeve mirëpo pasi dialogu të përfundojë me njohjen reciproke të dy shteteve.
“Ka disa tema të cilat janë të hapura, siç ka të bëjë edhe me çështjen e ndarjes së ish-Jugosllavisë që kanë mbetur çështje të pazgjidhura, po ashtu edhe obligimet tjera që i ka Serbia Kosovës, duke u nisur nga dëmet e luftës që ja ka shkaktuar Kosovës, nga grabitja e kursimeve bankare që kanë qenë, qoftë pensioneve qoftë qytetarëve që kanë deponuar në banka, po ashtu edhe artefakteve, dokumente kadastral, shumë elemente të cilat do të duheshin të sqaroheshin dhe njëkohësisht çështja e ndjeshme që është për Kosovën për të pagjeturit”.
“Prandaj, kemi të bëjmë me një grumbull të elementeve të cilat duhet të jenë pjesë bisedimeve por megjithatë duhet ky dialog të marr fund duke e njohur njëra palë tjetrën”.
Edhe Bilall Sherifi nga Nisma Social Demokrate tha se në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në mesin e temave që do të diskutohet duhet të jetë edhe ajo për hisen e Kosovës në pasurinë e ish-Jugosllavisë, raporton EO.
“Çdo temë e cila ende është e pazgjidhur me përjashtim statusin e Kosovës që është i zgjidhur të gjitha temat që i preokupojnë të dy shtetet edhe Serbia si trashëguese ish-Jugosllavisë natyrisht se në tavolinë do të duhej të ishin të gjitha temat ku Kosovës i takon e drejta për të marr hise nga ajo e ish-Jugosllavisë sepse borxhet i kemi marr, nëse i kemi marr borxhet si hise e keqe të cilën e ka trashëguar ish-Jugosllavia sigurisht se do të duhej të marrim edhe ato”.
Duke pas parasysh se në ndërtimin e pasurisë së ish-Jugosllavisë kanë kontribuar edhe qytetarët e Kosovës, për Dardan Sejdiun nga PSD-ja, ndarja e pasurisë do të ishte gjë shumë e mirë për vendin.
Mirëpo, për këtë çështje dhe të tjera,sipas Sejdiut, është shumë e rëndësishme që aktorët relevant të bëhen bashkë.
“Do të ishte tepër mirë që Kosova t’ i gëzoj të gjitha të mirat që kanë qenë të ndërtuara nga puna dje mundi i qytetarëve të kësaj republike. Mos të harrojmë që gjithçka çka kemi diskutuar deri tash ka pas të bëjë me benefitet që duhet t`i gëzoj Republika e Serbisë në Kosovë dhe jo me të drejtat që na takojnë neve si një shtet i pavarur që vije nga ish-shteti Jugosllavisë. Është tepër me rëndësi që çdo temë që e diskutojmë edhe të përgatitemi dhe të jemi bashkë”.
Ish-kryeministri Isa Mustafa kishte marrë vendim që të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emër të ish Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës të regjistrohen në emër të Kosovës.
Sipas të dhënave të Entit Gjeodezik të Serbisë bëhet fjalë për këto prona:Tokë në pronësi të Republikës së Serbisë në vlerë prej 29 për qind të tokës së përgjithshme në Kosovë.
Objekte, në hapësirë prej 1.240.992 metra katrorë të ndërtesave publike, 145.202 metra katrorë objekte për punë, 24.688 metra katrorë të ndërtesave banuese, 3.973 metra katrore objekt me rëndësi të posaçme, 753.916 metra katrorë të objekteve të tjera e të tjera, raporton Ekonomia Online.
Vendimi i Mustafës nga liderët e Serbisë ishte konsideruar i jashtëligjshëm dhe i papranueshëm.