Më rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe kanë vënë buqeta me lule të freskëta në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se 22 vite më parë, pas syfyrit pasi që atë kohë ishte muaji i Ramazanit, forcat serbe sulmuan tinëzisht familjen Jashari, ku mbeten të plagosur dy vajza nga familja jonë.
“Fatkeqësisht atë natë komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por luftën e bënë gjyshi, babai im Hamza dhe anëtarët tjerë të familjes që iu kundërpërgjigjen ashtu siç e merituan, ku pas 45 minutave sa zgjati sulmi mbeten të plagosur shumë ushtarë serbë, lanë armatimin dhe ikën mbrapsht”, ka thënë kryetari Jashari.
Pjesë e ceremonisë së homazheve ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, nënkryetari i Skenderajt dhe Drenasit, Nuredin Lushtaku e Nazmi Hasi, drejtor të drejtorive komunale të dy komunave dhe qytetarë të tjerë të cilët kishin ardhur për të nderuar veprën e familjes Jashari.