Programi Migrimi për Zhvillim i GIZ-it ka prezantuar studimin “Rrjetet e migrimit ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të origjinës –Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë”, studim ky që u realizua edhe me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës.
Qëllimi i këtij studimi ishte t’i analizonte emigrantët që tashmë janë të vendosur në Gjermani dhe emigrantët e rinj nga të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria, të organizuar në shoqata gjermano-shqipfolëse, në mënyrë që t’i njohë ata më mirë, t’i kuptojë nevojat e tyre dhe t’i hulumtojë mundësitë për integrimin e tyre të mëtutjeshëm.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, në fjalën e tij para të pranishmëve, përgëzoi GIZ-in për punën që ka bërë për inicimin e këtij studimi.
“Bashkëpunimi me Gjermaninë në këtë drejtim është i rëndësishëm për dy fakte: në bazë të dhënave të deritashme të regjistrimit që ka bërë Ministria e Diasporës, diaspora jonë është kryesisht e koncentruar në vendet gjermanofolëse, me numrin më të madh në Republikën Federale të Gjermanisë. Ndërkaq,sa u përket remitencave, në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, përqindja më e madhe e remitencave është nga Gjermania. Këto të dhëna tregojnë për rëndësinë që ka fuqizimi i bashkëpunimit tonë , në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali i madh që ka diaspora në Gjermani, për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të vendit tonë. Duhet pasur parasysh se diaspora shqiptare në Gjermani është një dhe nuk mund të ndahet, prandaj për këtë arsye, ne e kemi rritur bashkëpunimin jo vetëm me organizatat ndërkombëtare, por edhe me Qeverinë shqiptare që për këto resurse të përbashkëta të krijojmë edhe programe dhe mekanizma të përbashkët. Si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi pasur edhe programe të përbashkëta të punës praktike për studentët nga diaspora, por edhe organizimin e Samitit të diasporës në Tiranë. Po ashtu, janë nënshkruar edhe marrëveshje të rëndësishme për organizimin e mësimit plotësues dhe aktivitetet të përbashkëta kulturore. Ky studim do të na ndihmojë në punën tonë drejt të ardhmes”, tha ndër të tjera ministri Murati.
Ai u shpreh i lumtur që institucione të rëndësishme të vendeve mike, siç është Gjermania, çdo herë e më po e ndihmojnë Kosovën edhe në fushën e diasporës dhe raporteve që duhet të krijohen me të, që diaspora të jetë një urë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve të mira, por edhe për ta ndihmuar Kosovën në zhvillimin socio-ekonomik.