Artistja e re por mjaft e talentuar Emiranda Beka, këtë të enjte do të sjell ekspozitën e saj personale e cila do të prezantohet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”.
“Ndërmjet të pamundurës dhe paarritshmes”,titullohet ekspozita nën titullin e së cilës artistë do të prezantojnë punimet e tyre.
Beka lidhur me përzgjedhjen e pikturave të saj për këtë ekspozitë, tha se ndjehet e privilegjuar duke marrë parasysh konkurrencën e madhe që ka pasur për këtë ekspozitë.
Ajo për EkonomiaOnline bëri të ditur se në këtë ekspozitë do të prezantohet me gjithsej 15 piktura të cilat janë portrete të pikturuara me ngjyra të vajit.
“Ndihem e privilegjuar sepse kam pasur fatin të përzgjidhem për këtë ekspozitë duke pas parasysh konkurrencën që ka qenë. Është mjaft e vështirë të ofrohet një mundësi e tillë andaj jam shumë e lumtur që jam një ndër të përzgjedhuri”.
22 vjeçarja shpreson që kjo ekspozitë të hap një cikël të re në punën e saj si një artiste.
“Ndërmjet të pamundurës dhe paarritshmes”, është ekspozita që vjen e kuruar nga Ilir Muharremi, ndërsa financohet nga MKRS.
“Pikturat e artistes së re janë një vallëzim ngjyrash të pastra të krijuara nga spontaniteti, dhe shtrihen mbi një spektër të gjerë dhe të kontrollueshëm nga talenti i saj. Të gjitha objektet përcjellin emocion, sfidë dhe ndërmjet tyre e pamundura, e parritura përplasen mbi abstrakten dhe bëhen objektive…”, shprehet kuratori i kësaj ekspozite Ilir Muharremi.
Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur një muaj do të hap dyert për vizitorë më 23 nëntor me fillim nga ora 19:00.