Ish-kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka reaguar lidhur me kërcënimet me vrasje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Përmes një postimi, Haxhiu ka deklaruar se kërcënimet ndaj Mehmetajt janë dëshmi se e vërteta po i shqetëson ata që, sipas tij, bashkëpunojnë me Serbinë.
“Kur gazetarin Lirim Mehmetaj e kërcënojnë me vrasje njerëz që i kanë vëllezërit policë të Serbisë, kjo nuk është frikësim, është dëshmi se e vërteta po u dhemb bashkëpunëtorëve të Serbisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka theksuar se kërcënimet nuk mund të ndalin gazetarët dhe qytetarët që, sipas tij, e duan Kosovën dhe punojnë për të mirën e saj.
“Lirimin, çlirimtarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që e kanë dëshmuar me vepra se e duan këtë vend, nuk mund t’i ndalni me kërcënime. Përkundrazi, vetëm sa i forconi dhe i motivoni të punojnë edhe më shumë”, ka shtuar ai.
Haxhiu ka bërë thirrje për reagim institucional, duke e cilësuar kërcënimin me vrasje si vepër penale.
“Kërcënimi me vrasje është krim. Heshtja ndaj tij është bashkëfajësi. Dënim për kërcënuesit”, ka shtuar Haxhiu.