Bekim Haxhiu reagon pasi Trusti ka humbur 161 milionë euro, më mirë të lejohej tërheqja e 30-përqindëshit

Prishtinë | 06 Sht 2022 | 22:38 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka shkruar se Trusti ka humbur 161. 6 milionë € të kursimeve pensionale për 7 muaj, përgjatë periudhës janar-korrik 2022.

Ai tha se deputetet që votuan kundër Projektligjit për Trustin duhet të përgjigjen para qytetarëve dhe ta përmirësojnë gabimin tani kur Projektligji për Trustin po rikthehet në Kuvend me mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve.

“Është shumë më e drejtë që t’iu mundësohet qytetarëve të tërheqin deri 30% të kursimeve të tyre në Trust, se sa parat e Trustit të humbin në tregjet ndërkombëtare.

Presim mbështetje për kërkesën e qytetarëve në këtë thellim enorm të krizës”, ka shkruar ai nw Facebook.

Në seancën parlamentare të 23 qershorit pas një debati të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës, nuk kaloi projektligji që mundëson tërheqjen e një përqindje të caktuar nga Trusti.

Nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 44 patën votuar “për”, 57 “kundër” dhe 1 “abstenim”.

Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend të Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin në fjalë për tërheqjen e 10 deri 30 për qind të mjeteve, ku iniciues i kësaj nisme ligjore, ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Të ngjashme