Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, pas shënimit të 20-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, ka shprehur falënderim për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ky përvjetor të shënohet në mënyrë madhështore.
Ky është postimi i Bekim Jasharit:
“Falënderoj sinqerisht nga zemra, të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët, qytetarët dhe të gjithë miqtë e dashamirët që gjatë tri ditëve të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që shënimi i këtij 20 Vjetori, të jetë madhështor.
Në veçanti falënderoj sportistët pjesëmarrës, vrapuesit e maratonës, shahistët, volejbollistët, futbollistët e fut sallit, shenjëtarët, nga të gjitha trojet etnike por edhe mysafirë tjerë, për shpirtin e tyre garues për nderim të Epopesë.
Falënderim të veçantë shpreh për nxënësit e profesorët e ShM “Hamëz Jashari”, piktorët e Skënderajt, Besart Gashin, Ilir Shaqirin e Xhevdet Pantinën, që me pjesëmarrjen e tyre, përkushtimin artistik, i kontribuuan shënimit madhështor të epopesë.
Falënderoj institucionet më të larta në Tiranë, Prishtinë, Shkup e diasporë, por edhe institucionet lokale, zyrtarët e Komunës së Skënderajt që me kontributin e tyre, kanë bërë që shënimi i 20 vjetorit të Epopesë dhe sakrificës sublime të Jasharajve, të jenë të paharrueshme për ne. Pikërisht, ashtu siç e tha Besarta: datë që ngjallë dhimbje, krenari dhe dashuri për vendin tim!
Faleminderit. Qofshi gjithmonë faqebardhë!