Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Punëdhënësve të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Mensur Bektiq. Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve, sipas një komunikate të AKB-së.
Me këtë rast, Shahini e informoi Bektiqin për së afërmi për mundësitë e bashkëpunimit dhe përparësitë e politikave investuese qe ka Kosova për investitorët e huaj.
“Bizneset e Kosovës me kënaqësi do të bashkëpunonin me bizneset e vendit tuaj po të mos të ishin disa pengesa që shteti i Bosnjës i ka vënë për kosovarët”, i ka thënë Shahini bashkëbiseduesit të tij, duke përmendur vizat dhe mungesën e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave kosovare në BIH.
Ai theksoi se edhe me Serbinë, madje, është arritur një progres në lirinë e lëvizjes, kurse me Bosnjën nuk ka asnjë përparim.
“Kosova dhe Bosnja tradicionalisht kanë pasur raporte të mira ndërmjet popujve dhe asgjë të keqe nuk ka ndodhur mes kosovarëve dhe boshnjakeve që të kemi shumë barriera ndërmjet dy vendeve tona. Bashkëpunimi ekonomik dhe politik mungon dhe për këtë nuk është fajtor Prishtina as bizneset dhe as institucionet tona, por fajtorin duhet ta gjeni në Sarajevë”, ka thekszuar Shahini.
Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Punëdhënësve në BIH, Bektiq, tha se është nderuar për këtë takim, sikur e quajti ai vëllazëror, dhe për informatat që i mori lidhur me mundësitë që Kosova i ofron për investitorët e huaj. “Bosnja dhe qytetarët e saj nuk janë në armiqësi me Kosovën. Përkundrazi ne kemi kaluar nëpër një histori të njëjte dhe të dhimbshme, dhe kemi edhe një histori të përbashkët të bashkëpunimit në të kaluarën”.
Bektiq ka treguar se Oda Ekonomike e Federatës BIH për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka më shumë se 50 mijë anëtarë në gjithë territorin e vendit. “Jemi të interesuar që të depërtojmë në tregun e Kosovës, por njëkohësisht edhe prodhimet e Kosovës të kemi në tregun tonë. Për këtë do të angazhohemi të dy palët”, u shpreh ai.
“Sa i përket problemit të lëvizjes së lirë mes qytetareve të dy shteteve këtu nuk është bërë mirë nga asnjëra palë. Ju e dini se në BIH, presidentët janë me konsensus dhe vendimet merren me konsensus. Sa iu përket vendimeve të palës boshnjake gjithmonë kemi konsideratë për ju dhe jeni të mirëpritur nga ne me çdo dokument që është valid nga institucionet e Kosovës, por problemi qëndron tek përfaqësuesi serb, i cili nuk pajtohet për lëvizjen e lire të kosovarëve”.
“Ne do të ju mbështesim nëpër ambasadat tona që procedurat të thjeshtësohen sa ma shumë, por vendimi është politik dhe i dëmshëm për të dy palët. Prandaj, kosovarët duhet ta heqin masën e reciprocitetit ndaj qytetarëve të Bosnjës për lëvizje të lirë”, vlerësoi Bektiq.
Të dy palët u pajtuan që të kemi komunikime të shpeshta për harmonizimin e kërkesave të përbashkëta e që rrisin investimet dhe eksportet e prodhimeve nga dy vendet.