Nëpër kopshtin e rregulluar bukur, në bankat e vendosura aty sheh qytetarë të ndryshëm që ulen për të bërë një pushim. Disa më të rinj, që mbase duhanin e pinë tinëz, zgjedhin shkallët e anës së pasme të objektit, që të ulen për të mos u vënë re.
Zhurmës së rrjedhës së Lumbardhit nëpër gurët e shtratit të vet i bën konkurrencë ajo e makinave, në anën tjetër. Në qendër të krejt këtyre është një objekt madhështor, monument kulture, shkruan sot “Koha Ditore”.
Është ndërtesa e Kuvendit të Parë të Komunës së Prizrenit, që njihet si “Beledije”, fjalës në gjuhën turke për këtë institucion. Tash nuk është më në shërbim të administratës lokale, në tërësi, por i shërben një institucioni komunal.
Është në shërbim të turizmit. Në të njëjtën kohë shërben si qendër burimore dhe trajnuese për trashëgiminë kulturore. Aty zë vend Qendra e parë Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan.
Ndërtesa e parë e Kuvendit
Historia e ndërtesës së “Beledijes” – Kuvendit na tregon se objekti në lagjen “Tabakhane” është ndërtuar në shekullin XIX. Dhe, se ka shërbyer si komunë për autoritetet osmane në Prizren.
Kështu thuhet në historikun e këtij monumenti që e ruan dhe e promovon Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prizrenit. E ka të publikuar këtë pjesë edhe në Databazën Elektronike të objekteve që Kosova i trashëgoi si pjesë e vlerave materiale, përgjatë periudhave të ndryshme kohore.