Kosova bën edhe pa yje

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 14:58 | Nga

Kosova përfundimisht i ka humbur shpresat për t’i mbledhur rreth vetes futbollistët më të mëdhenj prej shteteve tjera. Pa ta Kosova do të duket më e zbehtë vetëm në eliminatoret e Botërorit “Rusia 2018”. Por falë moshës së re, potencialit dhe motivit të futbollistëve që i kanë pranuar thirrjet e vendlindjes, reprezentacioni kosovar pas pak kohësh nuk do ta vërejë mungesën e yjeve që nuk i erdhën shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërtimi i Përfaqësueses së Kosovës në kohën e izolimit gjithmonë është ëndërruar të bëhet mbi yjet më të mëdhenj kosovarë, siç janë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Adnan Januzaj apo yjet tjerë që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë.

Mirëpo, lojtarët e tillë tashmë kanë marrë vendim për të vazhduar me Zvicrën dhe shtetet tjera për të cilët kanë luajtur, duke mos iu bashkuar Kosovës të porsa ndërkombëtarizuar.

Kështu, Përfaqësuesja kosovare pas pak ditësh do t’i nisë eliminatoret për Botërorin “Rusia 2018” pa yjet e tillë, me ç’rast prishet përfundimisht ëndrra e ardhjes së tyre. Mirëpo, ekspertët thonë se Kosova nuk ka arsye të shqetësohet, pasi e ardhmja e saj e ndritur është e sigurt, edhe pa yjet e tillë.

Kjo pasi ekipit të Albert Bunjakit i kanë thënë “Po” shumë futbollistë tjerë që bëjnë karrierë jashtë vendit, që dita-ditës po dëshmojnë potencial të madh për të ardhmen, pasi mosha e tyre është mjaft e re.

“Kosova do ta bëjë një skuadër të fortë edhe pa këta që nuk erdhën. Kështu që më së shumti kanë humbur lojtarët që nuk erdhën e që kanë mundur të bëhen heronj të mëdhenj”, thotë trajneri i njohur, Ismet Munishi.

“Sikur të vinin këta futbollistë, atëherë ndoshta do të kualifikoheshim menjëherë në Botërorin ‘Rusia 2018’. Ndërsa pa ta procesi do të shtyhet për nja dy vjet. Ky do të jetë dallimi mes asaj sikur të vinin dhe që nuk kanë ardhur. Kosova ka potencial dhe cilësi edhe me këta lojtarët që i ka në dispozicion”, u shpreh Munishi.

Njëjtë shprehet eksperti tjetër Ramiz Krasniqi. “Normalisht se kualiteti i këtyre që kanë ardhur nuk është i njëjtë me atë të Xhakës apo Shaqirit. Por këta që kanë ardhur e kanë një vlerë të madhe.

Ajo është mosha e re, e cila u ka krijuar një motiv shumë të madh dhe prej kësaj sigurisht se do të fitojë shumë Kosova, por edhe vetë lojtarët”, pohon Krasniqi.

“U them me përgjegjësi se këta futbollistë që kanë ardhur, që i ka Kosova në dispozicion, janë shumë cilësorë. Janë diku rreth 35 futbollistë, të cilët do të krijojnë konkurrencë shumë të shëndoshë për të zënë vend në atë 22-shin e Përfaqësueses së Kosovës”, vazhdoi trajneri i ekipit U-21 të Kosovës.

Krasniqi është i bindur se pas dy vjetësh Kosova do të jetë shumë cilësore me futbollistët që i janë bashkuar, të cilën rrugë nuk e ndoqën emrat më të mëdhenj.

“Sigurisht nevojitet veç pak kohë për t’u bindur me kualitetin e këtyre të rinjve dhe për të ardhur në shprehje potenciali që kanë. Të jeni të bindur se pas dy-tri vjetësh do ta kemi një reprezentacion shumë të fortë. Kosova e vërtetë do të shihet në eliminatoret e evropianit të ardhshëm”, përfundoi ai.

Selektori Albert Bunjaki pritet që të martën, eventualisht të mërkurën, ta publikojë listën e futbollistëve që do t’i ketë në dispozicion për ndeshjen e 5 shtatorit kundër Finlandës, të parën në kampanjën eliminatore për Botërorin “Rusia 2018”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme