Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës po akuzohet vetëm për faktin se ka qenë pjesë e udhëheqësisë së UÇK-së.
Emmerson në seancën e Speciales ka shtuar se Prokuroria e Speciales po e ngarkon me akuza Veselin duke i dhënë atij përgjegjësi për çdo person që ka veshur uniformën e UÇK-së, pavarësisht kohës.
”Siç është thënë edhe në dosjen paraprake të ZPS-së, sa i takon akuzës kundër klientit tim [Kadri Veseli], ajo është drejtuar vetëm për faktin se ai [Kadri Veseli] ka qenë pjesë drejtuese e UÇK-së”.
”Me fjalë të tjera, për shkak të rolit që ai [Kadri Veseli] ka pasur, prezumimi i Prokurorisë Speciale është që ai duhet të jetë përgjegjës për çdo person që ka pasur veshur uniformën e UÇK-së, në çdo kohë”, ka thënë Emmerson.
Madje avokati Emmerson, pohoi se Prokuroria e Specializuar po e akuzon të gjithë UÇK-në si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale dhe jo vetëm të akuzuarit në fjalë.
”Me fjalë të tjera, e gjithë UÇK-ja po atakohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale dhe jo vetëm të akuzuarit”, ka thënë Emmerson në seancë.