Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë i ka dërguar notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Barbadosit, në të cilën thekson se në Beograd e kanë pritur me habi, lajmin për vendimin e këtij vendi që ta njeh pavarësinë e Kosovës.
“Një akt i tillë i paarsyeshëm dhe i papritur vjen në një kohë kur shumë vende në botë, në mesin e të cilave edhe disa fqinjë të ngushtë të Barbadosit, po i vënë në pikëpyetje dhe po i tërheqin vendimet për njohjen e të ashtuquajturit shteti i Kosovës. Kjo sigurisht që nuk do të kontribuojë në arritjen e zgjidhjes së pranueshme për çështjen e statusit të Kosovës”, thuhet në notën e protestës drejtuar këtij vendi.
Barbadosi shtet ky në Amerikën Qendrore ka njohur të enjten pavarësinë e Kosovës.
Lajmin për këtë njohje e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, njofton Klan Kosova.