Kryetari i Komisionit Shtetëror të Serbisë për personat e zhdukur, Velko Odalloviq pret që Gjykata Speciale për Krime Lufte të pjesëtarëve të UÇK-së të ngre aktakuza sipas fakteve që i janë dorëzuar për krime të kryera ndaj serbëve. Por, në deklaratën për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, për krimet serbe ndaj shqiptarëve ai hesht, shkruan Koha.net.
Siç shprehet Velko Odalloviq, i cili ka ushtruar funksione të larta në pushtetin e dhunshëm të regjimit të Millosheviqit në Kosovë, “bëhet fjalë për numër të madh krimesh të kryera ndaj serbëve, ndër të cilat edhe ato që kanë ndodhur nga fillmi i vitit 1998, që nga kidnapimi i xehetarëve, deri te Zoçishti, Opterusha, Retimla, pastaj vrasja e më shumë se 40 civilëve, familjeve Stoliq e Simiq, krimit në Livadicë Grackë të Vjetër si dhe krimeve të tjera për të cilat ka dëshmi përkatëse”
Ai shprehet i bindur se “herëdokurdo drejtësia do të bi në vend për viktimat serbe dhe se është e rëndësishme të sanksionohen përgjegjësit për krime të kryera në rajon, të cilët, sipas tij, ndodhen në funksione me përgjegjësi jo vetëm në territorin e Kosovës e Metohisë, por edhe në disa republika të tjera të ish-Jugosllavisë”.
Odalloviqit duket as i shkon mendja të përmendë dhjetëra masakra e dhjetëra mijë viktima civile shqiptare të forcave të dërguara nga Serbia në Kosovë, të cilat tronditën asokohe botën, e as dëbimin e mbi një milion shqiptarëve nga trojet e tyre etnike që nuk amnistojnë krimet eventuale ndaj civilëve serbë.