Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “për fat të keq” nuk ka qenë i pranishëm kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikë në Serbi, Kyle Scott, ka thënë që Qeveria e Kosovës nuk është “e ashtuquajtur”, por qeveri e “shtetit sovran dhe të pavarur”.Vuçiq ka theksuar që ambasadori do të merrte një “përgjigje të mirë dhe të matur, e cila do të nënkuptonte mbrojtjen e interesave të shtetit të Serbisë”.
Sipas tij, çfarëdo qoftë që është Qeveria e Kosovës për Uashingtonin, për Serbinë është e “ashtuquajtur”.
Deklaratat e tilla, Vuçiq i ka bërë pas hapjes së samitit të tretë të ministrave të transportit dhe Forumit të kryetarëve të komunave të qyteteve kryesore të Kinës dhe të vendeve të Evropës qendrore dhe lindore, që po mbahet në Beograd.
“Për fat të keq nuk kam qenë i pranishëm, por përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë është dashur që të reagojë. Nuk është ambasadori këtu që t’i përmirësojë gazetarët, por që të përgjigjet në pyetjet e tyre. Por, ky nuk është ndonjë qëndrim i ri i përfaqësuesve amerikanë dhe prandaj jam më skeptik se Ivica Daçiq lidhur me çështjen e qëndrimit të Uashingtonit ndaj Kosovës”, theksoi Vuçiq.
Ai ka shtruar pyetjen që pse atëherë po bëhen bisedimet me Serbinë për Kosovën, në qoftë se siç ka thënë diplomati amerikan, ajo është “qeveri sovrane e shtetit të pavarur”? Lidhur me këtë ai ka komentuar se “do të ishte mirë’ që ambasadori i SHBA-së të tregojë “pak më shumë respekt për vendin mikpritës” dhe ka shtuar që “ky është stili i tyre, si fuqia më e fortë në botë”.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, më herët, me një fjalor ofendues e ka dënuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, i është referuar Kosovës si shtet sovran.
“Me vjen keq që ambasadori Scott, mendjemadhësinë e tij nuk ka provuar ta shfaqë në ndonjë ngjarje me presidentin Vuçiq, sepse me kokë poshtë do të fluturonte nga Qeveria”, ka thënë Vulin.
“Ambasadori Scott, në mendjemadhësinë e tij ka harruar që Serbia nuk është koloni dhe nuk mund ta shkelë dinjitetin e saj. Se Kosova është e ashtuquajtur dhe se nuk është shtet, për këtë flet fakti që ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Për mendjemadhësinë e tillë, populli thotë – sa më i zbrazët që është kungulli, aq më i pafytyrë është”, kishte deklaruar Vulin.
Për kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, ky reagim i ministrit Vulin, është adekuat.
“Më duhet ta them sinqerisht që për mua është e pabesueshme që ju nuk më pyesni se cili është komenti im për deklaratën e ambasadorit, por për deklaratën e ministrit, i cili ka reaguar goxha në mënyrë adekuate”, tha Bërnabiq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të Radios Evropa e Lirë .
Ajo gjithashtu ka theksuar që deklarata e ambasadorit amerikan Scott, që “Kosova është shtet i pavarur”, është skandaloze dhe e pabesueshme.
“Mendoj se ajo deklaratë është e pashembullt, jo vetëm për diplomacinë, por është e pashembullt edhe për respektimin e mikpritësit të tij e sidomos për shkak se ajo deklaratë është dhënë në ndërtesën e Qeverisë së republikës së Serbisë”, theksoi Bërnabiq.
Një komentim të deklaratave të Vulinit, Radio Evropa e Lirë e ka kërkuar edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, por ajo ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, duke reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit Scott, ka thënë që Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë shtet i pavarur dhe se këtë qëndrim të Serbisë, sipas saj, e mbështetë më shumë se gjysma e botës.
Në një deklaratë për medie ajo ka theksuar që “për dallim nga SHBA-ja, e cila është sponsori kryesor i pavarësisë së Kosovës, Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
“Por, ajo për të cilën Serbia, gjegjësisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet sot, është arritja e një zgjidhje të qëndrueshme me kompromis për Kosovën, në mënyrë që të ruhet paqja në rajon dhe e cila do të mundësojë jetë të qetë për serbët dhe shqiptarët”, theksoi Mihajloviq.
Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, gjatë qëndrimit në Qeverinë e Serbisë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për atë se “sa ka shpresë për paqe përderisa po bëhet presion mbi Serbinë për bisedime me të ashtuquajturën Qeveri të Kosovës”, ka thënë se ajo qeveri nuk është “ e ashtuquajtur”, por është Qeveri e Kosovës.
“Ne e konsiderojmë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ata janë përfaqësues të zgjedhur të Kosovës dhe me ta kemi kontakte sikurse me cilëtdo përfaqësues të ndonjë shteti në rajon”, ka thënë diplomati amerikan, Scott.
Ai ishte i pranishëm në Qeverinë e Serbisë gjatë nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim me kompaninë amerikane Bechtel, për projektin e ndërtimit të korridorit të Moravës, gjegjësisht të autostradës Pojate- Prelina.
Këtë memorandum me kompaninë amerikane e ka nënshkruar zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Ndërtimit e Qeverisë së Serbisë, Zorana Mihajloviq.
Në anën tjetër, fjalorin ofendues të Vulinit ndaj ambasadorit Scott, për Radion Evropa e Lirë e ka komentuar ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, Ivan Vujaçiq.
“Ajo që së fundmi e ka thënë Vulin është absolutisht e pashembullt. Në qoftë se dikush vërtetë nuk pajtohet me deklaratat e ndonjë ambasadori dhe i konsideron si sulm ndaj vendit, atëherë duhet ta deklarojnë si person ‘non grata’ (të padëshirueshëm). Askush nuk ka guxuar ta bëjë këtë e as që do të guxojë. Por, për këtë shkak, e gjithë kjo shërben që në opinion të paraqitet ndonjë rrëfim për të ashtuquajturin patriotizëm e në anën tjetër, që të tregohet që ministra të caktuar kanë qëndrime radikale, të cilat nuk i kanë edhe kryeministri dhe presidenti i shtetit”, tha Vujaçiq.
Ai gjithashtu, ka theksuar që reagimet e politikanëve serbë ndaj diplomatëve dhe ambasadorëve të huaj, janë kontradiktore.
“Në njërën anë, kreu i shtetit dhe ministrat shkojnë në të gjitha pritjet e organizuara, gjë që nuk është e zakonshme në praktikën diplomatike të shumicës së vendeve moderne dhe normale, gjë që flet për rëndësinë që u jepet ambasadorëve përtej rëndësisë reale që kanë ata. Në anën tjetër, diplomatët e huaj, e sidomos të atyre vendeve, me të cilat intensivisht bashkëpunojmë dhe për të cilat flitet se i kemi marrëdhëniet më të mira të mundshme në histori, shpeshherë ofendohen në gazetat dhe tabloidët tonë dhe përfshihen në gjithfarërrëfimesh edhe nga ana e funksionarëve shtetëror”, theksoi Vujaçiq.
Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Gjorgje Paviçeviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që e gjithë kjo është një manovër klasike e “relacion me publikun” në Serbi – që vija e dytë e politikanëve e hedhë zjarrin për përdorim të brendshëm, ndërkaq që vija e parë e politikanëve e shuan atë. Megjithatë, sipas tij, kësaj radhë është mjaft befasues vrulli i fjalorit të ministrit Vulin.
“Ajo që e thotë Vulini nuk është aspak befasuese, marrë parasysh që kjo është një manovër klasike se si ata punojnë, pra, strategji klasike mediale. Presidenti thotë diçka e pastaj, vija e dytë e politikanëve e ashpërson këtë deri në kufirin që duhet të tregojë një lloj autonomie të veprimit në gjykimin e tjetrit. Në fakt, e gjithë kjo i është dedikuar publikut vendor: ja, tash ne u rezistojmë fuqive të mëdha. Por kjo është luftë e Davidit dhe Goliatit, të cilën ne duhet ta pranojmë në disa baza, të cilat nuk janë edhe aq të favorshme. Kjo, në fakt, është një lloj i të bërit sikur është tërheqje, e cila është karakteristike për këtë qeveri”, theksoi Paviçeviq.
Ai ka shtuar se është e dukshme që deklarata e Vuçiqit ka ardhur më vonë dhe se e