Mungesa e ministrit të Financave, Hekuran Murati në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka shkaktuar debat të ashpër ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhje në rend dite ishte shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, por në mungesë të ministri u shty për javën tjetër.
Deputetja e VV-së Mirlinda Tishukaj-Sadiku ka kërkuar nga deputetët e opozitës që mos të paragjykojnë për mungesë e Muratit, duke thënë se nuk po e bënë avokatin e askujt.
“Është mirë me paragjykuar se po ka deklarata tendencioze, është në fushën tonë me shqyrtuar raportin. Me mos më pengo Albana, ne nuk jemi avokat të kurrkujt jemi avokat të parasë publike, ministri ka ardhur ka raportuar se ne nuk e bëjmë avokatin e kurrkujt. Ne iniciuam auditim të RTK-së, mos na akuzoni që jem avokat”.
Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa ka kërkuar që deputetët e pozitës të mos bëhen zëdhënës të Qeverisë.
Ai e ka quajtur Muartin mashtrues e kryeministrin Albin Kurti kryemashtrues. Beqa i tha deputetes së VV-së “keni nevojë për diagnozë psikiatrike, jeni analfabetë”.
“Keni qit njerëz në rrugë, janë vra njerëz e nuk iu keni kërkuar as falje dhe tani të njëjta marrëveshje i zbatoni e quani vetën marrëveshje. Në vitin 2021 i keni paguar mijëra euro punëtorëve të komunitetit serb që nuk kanë ardhur në punë e ja keni ndal mësuesve pagat pak pa hi në dimër”.
“Të lutem mos u bë zëdhënëse, as ty as njoni deputet Qeveria, mos u bëni zëdhënës, përveç që jeni të padijshëm jeni analfabetë funksional, duhet me ju ardh marre ku e keni pru vendin, me një mashtrues të vogël si ministrin Murati dhe me krye mashtruesin që ju jeni ma shumë me shkuar në psikiatri, për zotin keni nevojë për diagnozë psikiatrike, me gjestet që po i bëni”.
Tishuka ka kërkuar fjalën duke thënë se Beqa nuk ka të drejtë ta quaj të sëmurë psikike, raporton EO.
Madje kryetarja Hykmete Bajrami e mbylli mbledhjen, duke thënë që në kushtet kur nuk dëgjohet askush kur flet nuk mund ta vazhdojë punën.