Kandidati për kryeministër Avdullah Hoti, të enjten ka shfaqur ambicie që ta formojë Qeverinë, nëse koalicioni PAN nuk mundet t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta bërë atë.
Duke dalë në rolin e mandatarit, Hoti përmes një deklarate ka thënë se nuk do ta bllokojë formimin e institucioneve por që do të tentojnë përmes të drejtës kushtetuese të jenë pjesë e pushtetit.
Këto deklarata të Hotit i ka komentuar analisti i zhvillimeve politike Belul Beqaj. Ai ka thënë të premten për Express se LDK ende siç duket nuk e ka kuptuar vullnetin e elektoratit të tyre dhe se të njëjtët janë duke jetuat me famën e ‘filozofisë rugoviane’.
“LDK-ja, nëse me të vërtete mendojnë se kanë mbulesë për të formuar Qeverinë në drejtimin e të nominuarit , kam përshtypje, se nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur me vullnetin e elektoratit të LDK-së. LDK-ja, është ushqyesja e iluzionit më të madh të pas luftës se nën udhëheqjen saj do të konsolidohet shteti dhe politika e Kosovës.
“…ende janë duke jetuar me famën e “filozofisë rugoviste” duke menduar se përmes saj dhe mashtrimit të elektoratit të vet do të arrijnë synimet maksimale. Mbase, një përpjekje e tillë, edhe nëse është lojë, tregon sa kanë nevojë këta “lojtarë” të shikojnë veten në pasqyrë pse këtë parti të vlerave historike e kanë sjell në greminë fundosjes”, është shprehur Beqaj.
Megjithatë, Beqaj vlerëson se ky subjekt ka ende ka figura që e ruajtën dinjitetin dhe se përmes tyre mund të kthehet besimi i humbur.
“Fati i LDK-së, është se,përkundër sjelljeve autoritare të liderit partiak, disa figura ,ruajtën dinjitetin moral dhe politik të partisë. Do të ishte në interes të partisë që pikërisht këto figura të shndërrohen në bartës të reformës partiake. Nëse planifikohet kthimi i besimit të elektoratit të humbur”, thotë ai.
Sidoqoftë, njohësi i çështjeve politike thekson se LDK e ka dëshmuar se nuk ka potencial, vendosmëri dhe lidership vendimmarrës në periudhën e kaluar.
“Prandaj, VV , besoj se nuk do të përsërisin gabimin e PDK-së. Lideri VV duhet për të ndjekur strategjinë e maratonistit politik nuk duhet t’i nënshtrohet grackës së numrave të sprinterëve politik. Marrja e pushtetit në këto rrethana, me këta partner politik, mund të rrezikoj vizionin politik të saj. Fundja, elektorati më shumë i ka besuar synimeve politike tëcVV se sa “veprimeve”të LDK-së.
Veprimi i tillë do të ishte në kundërshtim me konsistencën e synimeve politike të VV. Çështje tjetër është se sa mund të rehabilitohet dhe a mund të rehabilitohet LDK në koalicion me VV, nëse nuk reformohet seriozisht, duke nisur nga kryetari i partisë e deri te klanet që e kanë okupuar transformimin dhe atraktivitetin e saj”, ka thënë ai ndër tjerash.
Beqaj flet edhe për ftesat që partitë po ia bëjnë njëra tjetrës për koalicion paszgjedhor. Thotë se është plotësisht e natyrshme që të komunikohet mes partnerëve të mundshëm për formimin e Qeverisë.
Veprimet e tilla sipas tij, janë të natyrshme dhe të përgjegjshme. “Por, më shqetëson fakti se, edhe gazetarët, kanë rënë në grackën e “koalicionit të numrave”duke harruar se pikërisht një qasje e tillë ishte ilustrim më i bindshëm i dështimit politik të koalicionit qeverisës. Mendoj, se do të dështojmë sërish si komb nëse e ndjekim rrugën e cila është dëshmuar si e gabueshme. Prandaj, duhet të gjendet zgjidhje që krahas numrave të domosdoshëm formal e kemi edhe një koalicion që reflekton edhe bindjet dhe pikëpamjet identike politike për temat që ishin shkasë për zgjedhjet e parakohshme, por edhe të prioriteteve zhvillimore të Kosovës”, shtoi ai.
Tutje, Beqaj thekson se uniteti i kundërshtarëve të deridjeshëm nëse e ka për synim vetëm pushtetin do të ishte dështim më i madh se sa vendnumërimi i koalicionit të kaluar. Prandaj, siç bën të ditur ai, duhet mbështetur vetëm atë koalicion që ka për synim ndërrimin e politik bërjes në funksion të interesave të qytetarit.
Beqaj flet edhe rreth asaj se si e sheh zgjidhjen e kësaj situate pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Thotë se rezultatet e zgjedhjeve mundësojnë disa zgjidhje matematikore të cilat nuk janë garanci për ndryshimin e politik bërjes.
“Nëse koalicioni deritanishëm ka qenë jo funksional, atëherë logjika e shëndoshë më thotë që do të ishte gabim edhe më i madh të ndiqet rruga e cila është dëshmuar si e gabuar. Por, kjo s’do të thotë se rruga e re automatikisht është rrugë që premton sukses. Ajo, potencialisht është një mundësi e ndryshimit por nuk është garanci e suksesit, për arsye të deklarimeve diskutabile rreth temave të rëndësishme, mungesës së përvojës, aftësive kadrovike dhe mbështetjes ndërkombëtare… Nëse rrethanat politike, sociale , ekonomike dhe të sigurisë keqësohen, mund të shkaktojë dëme edhe më të mëdha se vendnumrimi i koalicionit të mëparshëm”, është shprehu ai.
Megjithatë, ai propozon Qeveri teknike prej 6-12 muaj, nëse dështon formimi i Qeverisë përmes Kushtetutës e cila siç tha ai, do të kaloj temat që shërbyen si shkasë për zgjedhjet e parakohshme dhe njëkohësisht do të reformojë sistemin zgjedhor, partitë do të kishin kohë për t’u reformuar, skena politike do të filloj të pastrohet nga GJNS.
“Qytetarët do të kishin kohë për t’i hequr dilemat të cilat kanë filluar të shoshisin nga këto zgjedhje duke filluat për ti zgjedhur partitë e liderët e jo për të votuar siç ka qenë deri më tashti”, ka përfunduar ai.
Vendi shkoi në zgjedhje më 11 qershor, pasi Parlamenti votoi për rrëzimin e Qeverisë Mustafa përmes mocionit të iniciuar nga opozita