Me ftesë të Presidencës se Këshillit të Bashkimit Evropian, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, do të përfaqësojë Kosovën në Dialogun Ekonomik dhe Financiar në mes të Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në nivel politik, që mbahet në Bruksel.
Fokusi i këtij dialogu do të jetë në temën: “Forcimi i kornizës fiskale si kontribut në konvergjencën ekonomike”.
Ministri Beqaj në këtë takim do të shpalosë përkushtimin e Qeverise se Republikës se Kosovës për të ndjekur një strategji konservatore të politikës makroekonomike, duke synuar nivelet e ulëta të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
Ministri gjithashtu do të prezantojë objektivat e politikës fiskale që janë vazhdimi i investimeve kapitale, racionalizimi i shpenzimeve operative, borxhi i jashtëm, përmirësimi i efektivitetit të subvencionimit, mobilizimi i të ardhurave përmes zgjerimit të bazës tatimore e jo rritjes së tatimeve, rritja e eksporteve dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Ministri Beqaj gjithashtu do të potencojë ndikimin e MSA-së në buxhetin e Republikës së Kosovës.