Ministria e Inovacionit dhe e Ndërmarrësisë ka qenë e nevojshme dhe nuk është krijuar veç pse i është tekur dikujt.
Kështu thotë kreu i kësaj ministrie të re, Besim Beqaj, në një intervistë për Ekonomia Online. Për krijimin e kësaj ministrie, sipas tij, është marrë model Suedia, e cila e ka një ministri të tillë.
Beqaj beson se kjo ministri do të ndikojë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Mes tjerash, ka plane për krijimin e qendrave të inovacionit, fillimisht në katër komunat e mëdha: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë; të cilat do të shërbejnë si inkubatorë për bizneset.
Ministria e Inovacionit dhe e Ndërmarrësisë (MIN) aktualisht ka vetëm 8 të punësuar dhe disa këshilltarë të jashtëm. Por ka një buxhet gogja impresiv – 10 milionë euro.
“Për momentin nuk e kemi të kompletuar numrin e stafit. Ne e kemi tani buxhetin e aprovuar për vitin 2018; është diku rreth 10 milionë euro. Ky buxhet parasheh që brenda një periudhe të caktuar të fillojë procesi i rekrutimit të stafit. Gjithsej brenda vitit 2018 do të jenë 52 të punësuar. Pra, nuk do të jetë ministri e madhe”, thotë Beqaj.
“Misioni ynë është që ta ndryshojmë konceptin e ekonomisë në Kosovë; që të mos konceptohet që vetëm ekonomia e prekshme është element i rëndësishëm, por të jetë edhe ekonomia virtuale dhe ekonomia digjitale, të cilat neve na mundësojnë që produktet tona, të njerëzve të rinj, të cilët dinë dhe kanë ide për ta përmirësuar procesin, të kanë efekte ekonomike dhe rritje të vendeve të punës”, tha ai.
Duke u përgjigjur disa kritikave për numrin e madh të ministrive, Beqaj shprehet se Ministria e Inovacionit dhe e Ndërmarrësisë ka qenë e nevojshme.
“Kemi shikuar modalitete të ndryshme në botë; model e kemi Suedinë e cila e ka ministri të tillë. Nëse e analizojmë në Kosovë do ta shohim që ndërmarrjet të cilat po merren me e-commerc, pra me aktivitete online dhe me shitje, siç është ‘Gjirafa’ apo ndërmarrje të tjera, po rriten brenda vitit 8 herë dhe kjo është instrument shumë i madh që tregon që shteti duhet të merret me inovacion”, u shpreh ai.
Ai tha që fushëveprimi i kësaj ministrie është i gjerë. “Ministria do të merret në nivel shteti me krijimin e politikave në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, në krijimin e legjislacionit, me koordinimin ndërqeveritar për fushën e inovacionit, me koordinim me donatorët në fushën e inovacionit dhe të ndërmarrësisë. Këtu kemi të bëjmë gjithmonë me inovacionin që kanë efekte pozitive në ekonomi”, u shpreh Beqaj.
Ndërkaq për 100-ditshin e parë ai tha që ka qenë periudhë e konsolidimit institucional, sepse sipas tij, nuk është e lehtë që të themelohet një institucion.
“Gjatë këtyre tre muajve kemi përcaktuar fushëveprimin e ministrisë; kemi themeluar Këshillin Kombëtar për Ndërmarrësi dhe Inovacion, kemi hartuar rregulloren e brendshme, kemi bërë buxhetin, kemi bërë planin operativ për vitin 2018 dhe në vitin 2018 do të hyjmë me një strukturë bazike të njerëzve në ministri të cilët kanë njohuri të nevojshme”.
“Për më shumë, ne kemi komunikuar me shumë donatorë, kemi komunikuar edhe me sektorin privat gjatë kësaj periudhe. Është me vlerë të thuhet se ministrisë, që në ditën e parë i janë bashkangjitur edhe këshilltarë të jashtëm. Pra, flasim për një strukturë të njerëzve të cilët kanë për çdo ditë kanë komunikim me biznesin. Ka qenë periudhë e konsolidimit institucional. Nuk është e lehtë të themelohet një institucion”, shprehet Beqaj.
Ai sqaron se Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të ketë rol këshillëdhënës.
“Këshilli është paraparë me planin e punës të qeverisë për vitin e ardhshëm edhe me kompetencat të cilat i ka ministria, këshilli ka rol këshillëdhënës është rol horizontal në qeveri. Ne kemi dashur që Këshillin Kombëtar të Inovacionit ta kemi një vend ku debatohet për secilën politike qeveritare, të debatohet për secilin hap në fushën e politikave fiskale, të debatohet për secilën fushë ku duhet të investohet, në mënyrë që ti japim instruksione pastaj qeverisë për veprime të tilla”.
Beqaj për Ekonomia Online tha se 95% e buxhetit të kësaj ministrie do të shkojë për subvencione dhe investime kapitale.
“Nga buxheti prej afër 10 milionë euro, 9.1 milionë janë për subvencione të transferit dhe investimeve kapitale; pra mbi 95% e buxhetit shkon në këtë segment. Janë mbi 7 milionë vetëm subvencione të transferit që nënkuptohet që do ta mbulojmë edhe pjesën e trajnimeve të edukimit, infrastrukturën ligjore, pra përgatitjen në bazë ligjore”.
“Në Strategjinë të cilën mendojmë ta bëjmë në vitin 2018, kemi edhe përkrahjen për inovatorë, përkrahjen për startup-e dhe normalisht përkrahjen për ndërmarrjet ekzistuese, fjala është për përkrahje të drejtpërdrejtë. Pjesa tjetër, dy milionë janë investime kapitale. Do të bëjmë një hulumtim, apo një fizibilitet të qendrave të inovacionit, të nevojave për qendra të inovacioni”, u shpreh Beqaj.
Ai u shpreh i gatshëm që në Ministrinë e tij të pranojnë studentë të cilët dëshirojnë që të kryejnë praktikë.
“Për praktikë në Ministrinë e Inovacionit e kanë derën hapur gjithmonë studentët të cilët vijnë ta kalojnë një periudhë; atë e bëjmë pa asnjë lloj problemi. Por besoj që praktika më e mirë për studentë është që ne të lidhemi me ndërmarrjet, të shkojmë nëpër ndërmarrje, të analizojmë punën e tyre dhe të bëhen pjesë e punës produktive në marketing, në shërbim, në prodhim, në teknologji”.
Në vazhdim, Beqaj ka shpjeguar planet për krijimin e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë, fillimisht në katër komuna: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë. Ai thotë se këto qendra do të shërbejnë si inkubatorë për bizneset.
“Kur flasim për fazën e parë të inkubimit, kjo është ende në nivel të idesë dhe ajo ide ka nevojë të shtrohet dhe të diskutohet me njerëz, ka nevojë të testohet a funksionon apo nuk funksionon. Prej fazës së para-inkubimit, këto qendra do të japin mundësinë që ndërmarrjet të cilat themelohen të kalojnë në inkubatorë, ku do ta kenë edhe mundësinë e mentorimit , këshillimit, përkrahjes në marketing dhe në forma të tjera. Pastaj do të kalojmë në pjesën komerciale edhe si start-up të cilat regjistrohen dhe ne besojmë që pastaj ato do të hynë në tregun e punës”, thotë Besim Beqaj, në këtë interevistë.