Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, qëndroi sot për një vizitë zyrtare në Shkup, ku pati takim bilateral me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ata janë pajtuar për bashkëpunim në rritjen e kapaciteteve regjionale dhe ndërshtetërore për përkrahjen e inovacioneve dhe ekonomisë digjitale. Me këtë rast u bë e ditur se dhe Maqedonia nis së shpejti projektimin e autostradës drejt Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ministri Beqaj, pas takimit, tha se Maqedonia dhe Kosova kanë raporte të mira ekonomike, për avancimin e të cilave infrastruktura luan një rol shumë të rëndësishëm.
Beqaj tha se shpreson që nisma kosovare e cila është në përfundim e sipër për përfundimin e autostradës në pjesën e Kosovës do të gjejë lëvizje të shpejta edhe tek qeveria e Maqedonisë, sepse siç tha, kjo bëhet në të mirën e ekonomive dhe qytetarëve të të dyja vendeve.
“Kosova është duke bërë një investim të madh që do t’i ndihmojë edhe Maqedonisë, dhe shpresoj që Maqedonia të ketë qartësi ekonomike dhe politike që të përfundojë këtë rrugë sa më shpejtë sepse nga momenti kur rruga ka shkuar në tjera orientime ka patur efekte negative në këmbimet tona tregtare. Ne synojmë të rrisim bashkëpunimin ekonomik përmes infrastrukturës. Faza tjetër e bashkëpunimit pasi të përfundojë rruga është bashkëpunimi i doganave dhe dy administratave tona”, tha Beqaj.
Ministri Bekteshi tha se ka informuar mysafirin nga Kosova për planin e qeverisë për ndihmë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për rritje të konkurrentshmërisë për bashkëpunim me tregjet e rajonit dhe më gjerë.
“Obligimet që dalin nga Procesi i Berlinit na obligojnë që sa më shumë të intensifikojmë bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve. U dakorduam që së bashku të krijohen grupe pune që sa më shpejtë të realizohet një takim mes dy qeverive ku do të identifikohet rrugët për rritje të bashkëpunimit tregtar”, tha Bekteshi.
Për sa i përket ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, nga pjesa e Maqedonisë, ministri Bekteshi tha se qeveria në mbledhjen e djeshme ka caktuar afatet për ndërtim e saj, punimet për të cilën do të fillojnë vitin tjetër.