Gjatë ditës së djeshme Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, Ramush Haradinaj. Pas pranimit të ftesës, Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk dëshiron që të shkojë në Hagë në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, por do të shkojë si një qytetar i thjeshtë.
“Do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, ka thënë Haradinaj gjatë ditës së djeshme.
Rreth dorëheqjes së Haradinajt ka folur njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Belul Beqaj.
“Veprimi i tij është dinjitoz, që nuk mund të thuhet për Gjykatën speciale e cila për të tretën herë po e fton Ramush Haradinajn si të dyshuar. Kjo krahas arsyes juridike, deshëm apo jo, sjell në dyshim politik veprimet e Gjykatës Speciale për motivet e kësaj ftese”, ka potencuar Beqaj për Telegrafin.
Beqaj thotë se logjikisht më të dyshuar mund të jenë ata që nuk kanë qenë të ftuar asnjëherë,ndërsa janë apostrofuar publikisht si të dyshuar.
Analisti politik vë në pikëpyetje ftesën e Gjykatës Speciale për Ramush Haradinajn.
“Nuk e përjashtoj mundësinë edhe të prapavijës politike të kësaj ftese”, është shprehur ai.
Dorëheqja e Haradinajt nga pozita e kryeministrit ka ngjalluar reagime të shumta, shumica e liderëve kosovarë kanë shprehur keqardhje për situatën në të cilën gjendet ai, duke shtuar se lufta e pastër e UÇK-së do të triumfojë.
Është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.