Ministri i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Besim Beqaj, ka ftuar ndërmarrësit e rinj që të aplikojnë në programin e financimit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme dhe të Bizneseve fillestare “Start-Up”, në mënyrë që të ndihmohet në zhvillimin e vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë lansimit të Programit, Ministri Beqaj ka theksuar se rinia kosovare është e gatshme të ecë drejt gjititalizimit të ekonomisë, raporton Ekonomia Online
“Kemi këtë sektor, i cili është shtytësi më i madh i zhvillimit ekonomik. Besoj që rinia kosovare është e gatshme për të shkuar drejt digjitalizimit të ekonomisë. Është një fokus shumë i madh, me të cilin, edhe unë besoj, që edhe Kosova do të jetë e gatshme për t’u quajtur Kosovë Digjitale”.
Ai ka thënë se për të përfituar këtë program kërkohen ide inovative. Beqaj ka premtuar që vlerësimi i projekteve do të jetë i pavarur dhe profesional.
“Sot ne po e lansojmë pjesën e programit të dytë. Sot ftesa shkon për start-up, që është ftesë e veçantë.. pjesa tjetër janë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Kërkohen ide inovatove, ku do të ketë vlerësim kredibil, të pavarur, profesional dhe rigoroz”, ka deklaruar Beqaj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, në anën tjetër, ka pohuar edhe një herë që sektori privat është bartës kryesor i zhvillimit ekonomik.
“Me qëllim të përkrahjes së sektorit privat, ju e dini se e kemi krijuar fondin për garantimin e kredive. Perspektivë e zhvillimit ekonomik është ekonomia digjitale. Ministria e inovacionit, një prej objektivave, e ka këtë dhe besoj që brenda mundësive ne do të ofrojmë mbështetje për sektorin privat.
Sektori ku krijohen vende të punës është sektori privat…shumë prej juve jeni ndërmarrës, shumë presin që të jenë ndërmarrës të rinj. Gjenerata e re, njerëzit e përgatitur, sidomos në fushën e IT-së, janë përparësi në mënyrë që ne të kemi shërbime për t’i eksportuar jashtë”, ka thënë Hamza.
Arta Zajmi, një prej themelueseve të bizneseve Start-Up, ndau eksperiencën e saj.
Këtë mundësi ne, komuniteti i start up, do ta marrim me përgjegjësi. Suksesi është në pasionin që e kemi për punë dhe ata që e kanë këtë të qartë besoj se mbështetja financiare do ta përshpejtojë atë”.
Programi është mbështetje e drejtpërdrejtë financiare për sektorin privat për të rinjtë dhe ka për qëllim përkrahjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, në funksion të fuqizimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Programi për financim do të qëndrojë i hapur deri më 15 gusht, raporton Ekonomia Online.