Beqaj: Samiti në Berlin dështon nëse s’hapet rruga për vazhdim të dialogut

Prishtinë | 29 Pri 2019 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Samiti i Berlinit do të jetë i suksesshëm vetëm nëse hiqen pengesat në dialogun Kosovë-Serbi. Kështu ka thënë analisti politik, Belul Beqaj në Express Intervistën në KTV.

Sipas tij, taksa e Kosovës për mallrat serbe dhe ideja për korrigjim kufijsh duhet të hiqen në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes dy shteteve, përndryshe ky samit mund të konsiderohet si i dështuar.

Ai ka thënë se ideja kryesore e Samitit është që të mundësohet vazhdimi i dialogut.

“Heqja e pengesave, kjo nënkupton heqjen dorë nga tarifa që po paraqitet si pengesë nga Serbia dhe në anën tjetër si të mos hiqet ideja për korrigjim kufijsh, atëherë mendoj se samiti dështon. Mund të ketë një kompromis për të hequr tarifën dhe kjo nënkupton heqjen e kërkesës për korrigjim kufijsh për të lejuar vazhdimin e dialogut”, ka thënë Beqaj.

Beqaj ka thënë se vetë organizimi i një Samiti nga Gjermani dhe Franca që dikur ishin në luftë të gjatë mes vete, është mesazh që të kalohet konflikti dhe të vazhdohet me dialog, i cili sipas Beqajt ka dalë nga binarët e parashikuar.

Sipas Beqajt, edhe Bashkimi Evropian nuk ka qenë parimor në këtë proces dialogu duke marrë parasysh se dialogu ka devijuar dhe ka kaluar në diskutim për ndarje etnike.

Të ngjashme