Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, ka vizituar Shkollën Digjitale në Prishtinë, ku tha se Ministria e Inovacionit do të ndihmojë zhvillimin e shkollave të tilla edhe në fushën ligjore, raporton Ekonomia Online.
“Pashë që shkolla juaj që përveç aktiviteteve qe i kanë ata po merren edhe me çështje të përkrahjes të jetës sociale në Kosovë. Kosova po shkon shumë shpejtë drejtë ekonomisë digjitale. Ne si institucione jemi të orientuar të i paraprijmë parakushte dhe këto nënkuptojnë edhe rregullimin ligjor. Tani kemi parkun e inovacionit në Prizren i cili duhet të popullohet dhe besoj që kjo do ndodhë”, shtoi ai.
Beqaj tha se është e rëndësishme që Kosova të vazhdoj bashkëpunimin edhe me gjermanët për përkrahjen me fonde.
“Gjendja e ekonomisë së Kosovës është bota digjitale është rinia jonë. Ne tani më kemi buxhetin e aprovuar për vitin 2019 kemi buxhet të mjaftueshëm për të përkrahur idetë inovative”, tha Beqaj.
Ai tha se me ekonominë digjitale mund të krijohen hapësira që rinia kosovare të rrijë në vendlindjen e tyre dhe të kontribuojnë për vendin e tyre.
“Në ekonominë digjitale ne mund të krijojmë hapësirë që rinia jonë të rrijë në Kosovë dhe të punojnë për rrjetet ndërkombëtare”, u shpreh Beqaj.
Drejtoresha e Shkollës Digjitale në Prishtinë, Hana Qerimi, tha se kjo shkollë e cila është prezente në disa komuna të Kosovës, si Prishtinë, Ferizaj e Prizren ka aktualisht 1300 nxënës.
Sipas Qerimit kjo shkollë do nxjerrë shumë fëmijë të aftësuar të cilët me idetë dhe projektet e tyre, do ia garantojnë Kosovës një të ardhme më të mirë.
“Këta fëmijë që i kemi në Shkollën Digjitale, janë duke u bërë gati për tregut të punës. Shkolla Digjitale është e mbuluar me një hapësirë shumë të vlefshme në këtë drejtim. Fëmijët sot ndihen krenarë që janë në sipërfaqe dhe po vlerësohet puna e tyre dhe besoj që përmes këtyre fëmijëve Kosova do ketë një të ardhme më të mirë”, tha Qerimi, raporton EO.