Nuk ndodh shpesh që tifozët vendës të duartrokasin kur në ekranin gjigant të stadiumit të shfaqet fotografia e një lojtari të ekipit kundërshtar. Edhe më rrallë haset kjo, kur dy ekipet kanë rivalitet, ndërsa lojtari në fjalë vlerësohet i rëndësishëm për kundërshtarin.
Fatos Beqiraj është prej pak përjashtimeve në këtë traditë futbolli. Rasti i Beqirajt është i veçantë dhe si i tillë është trajtuar nga tifozët e Kosovës, “dardanët” dhe nga të gjithë shikuesit në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e javës së kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan sot Koha Ditore.
Kur fotografia e Beqirajt u shfaq në ekranin e madh në stadium, pati duartrokitje të tifozëve. Beqiraj, ndonëse lojtari kryesor i Malit të Zi, e përcolli nga stoli pjesën e parë të ndeshjes. Me t’iu afruar fushës për të hyrë në lojë në fillim të pjesës së dytë, Beqiraj mori duartrokitje tjetër të madhe nga shikuesit në stadium. Duartrokitjen e tretë e mori pas një lëndimi, në një duel me Kosovën. Kështu, sulmuesi nga Peja ishte fitues i madh te Mali i Zi e humbës në ndeshjen e 14 tetorit në Prishtinë (2:0).
Me shumë mundësi ka qenë njëra prej ndeshjeve më emocionale, por edhe më të vështira në karrierën e 31-vjeçarit. Dhe ai ishte fitues moral i saj, falë duartrokitjeve të tifozëve në stadium.