Beqiri: Kisha përkrahjen për Kryetar të Prishtinës, më vjen keq pse LDK vendosi ndryshe

Prishtinë | 26 Gus 2017 | 12:50 | Nga

Ismet Beqiri ka folur për herë të parë pse nuk u nominua për Kryetar të Prishtinës. E ka lënë fajtore LDK-në pse për herë të parë përdori votimin e fshehtë për të nominuar kandidatin për Kryeqytet.

Ka thënë se i vjen keq që nuk do të jetë në garë pasi kishte përkrahjen e të gjitha strukturave. Megjithëkëtë, thërret për tejkalimin e kësaj situate për shkak të LDK-së.

“Përkundër faktit që kisha vullnetin,gadishëmrinë dhe përkrahjen e shumicës së strukturave të LDK-së në Prishtinë,më vjen keq që pas një votimi të fshehtë, (hera e parë në Kryesinë e LDK-së) nuk e kam mundesin të garoj, të fitojm dhe të isha në shërbim të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ashtu siç kam bërë vite më parë si Kryetar i Prishtinës”, ka shkruar Beqiri, në një reagim.

Shumëkush edhe në LDK, Ismet Beqirin e kishte parë si kandidat të mundshëm për Kryetar të Prishtinës. Kjo për shkak se ai është njëri prej zyrtarëve që ka pjesën më të madhe të strukturave të partisë pas vetës si dhe ka qenë edhe Shef i Prishtinës dikur.

Por, LDK, ka vendosur të kandidojë me një kandidat të gjeneratës tjetër për Kryetar të Prishtinës. Ai është Arban Abrashi, tash deputet, dikur Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në këtë mënyrë, fushata disamujore e Beqirit, shkoi huq.

Madje, Sekretari i LDK-së nuk mori pjesë as në ceremoninë zyrtare të partisë, ku u organizua një ceremoni, me kandidatin për Kryetar të Prishtinës.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së në mandatin e kaluar ishte Shef i Grupit Parlamentar, ndërsa, edhe këtë pozitë ia kanë hequr. Në vend të tij, në këtë mandat, është Avdullah Hoti, i cili po udhëheqë LDK-në në Kuvendin e Kosovës.

Ismet Beqiri ka qenë Kryetar i Prishtinës deri më 2007, kur Fatmir Sejdiu e bëri Kryetar të Prishtinës, këshilltarin e tij, Isa Mustafa, i cili humbi pastaj më 2013 përballë Shpend Ahmetit.

Pos Abrashit për Shef të Prishtinës kandidojnë edhe Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, Arbër Vllahiu i AAK-së e Lirak Çelaj i PDK-së. Ende nuk dihet nëse në këtë garë do të futet edhe Behgjet Pacolli i AKR-së.

Reagimi i plotë i Ismet Beqirit:

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Të respektuara struktura të Degëve dhe Nëndegëve të LDK-së në Prishtinë

Dëshiroj qe publikishit të ju falenderoj për mbështetjen që më keni dhënë të jem Kandidat i mundshëm për Kryetar të Prishtinës,të jem zëri juaj përfaqësues nga rradhët e LDK-së.

Veçmas falenderoj Degën e I-rë,Nëndegët,Forumin e Gruas,Forumin Rinor dhe anëtarsinë e Degës time,që kan bërë propozimin për Kandidat.

Po ashtu falenderoj edhe strukturat e 4 Degëve dhe Nëndegëve tjera të Prishtinës.

Përkundër faktit që kisha vullnetin,gadishëmrinë dhe përkrahjen e shumicës së strukturave të LDK-së në Prishtinë,më vjen keq që pas një votimi të fshehtë,(hera e parë në Kryesinë e LDK-së)nuk e kam mundesin të garoj,të fitojm dhe të isha në shërbim të Prishtinës dhe qytetarëve të saj,ashtu siç kam bërë vite më parë si Kryetar i Prishtinës.

Unë vazhdoj të jem një anëtarë i përkushtuar dhe i devotshëm i LDK-së së Ibrahim Rugoves,i Degës së I-rë Kodra e Trimave(e di qe jeni lënduar,zhgenyer e shqetësuar,por edhe këtë situatë duhet ta tejkalojm bashkë,për hirë të LDK-së).

Do të punoj ashtu siç kam punuar për 27 vite për të mirën e LDK-së,për suksesin e LDK-së,përkundër sfidave që i kam pasur dhe mund ti kem.

Do të punojm si gjithmonë dhe dashtë zoti të kemi rezultate pozitive edhe në këto zgjedhje të 22 Tetorit,ta fitojm Prishtinën tonë dhe shumë Komuna të tjera.

I.Beqiri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme