Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka folur rreth situatës politike në vend.
Beqiri në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se aktualisht vendi është një situatë të pakuptueshme, pothuajse bllokadë, ku ka mosfunksionim të institucioneve.
“Që nga themelimi i institucioneve nga viti i kaluar, kemi të bëjmë me mosfunksionim te këtyre institucioneve. Jemi në një situatë të pakuptueshme, pothuajse në bllokadë”, ka thënë Beqiri.
Duke folur rreth çështjes së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Beqiri ka thënë se LDK vazhdon të jetë kundër kësaj.
“Presidenti Thaçi nuk mund të flasë për korrigjim apo shkëmbim të territoreve. Kjo është ide e rrezikshme dhe e papranueshme…Të flitet sot për çështje të kufijve e cila ndalohet edhe me Kushtetutë është fillim i kontestimit të shtetësisë tonë nga vet ne në këtë rast nga Presidenti”, ka thënë Beqiri.
Ai ka shtuar se tema e kufijve nuk hapet në dialog, e sidomos me një shtet i cili nuk ta njeh shtetësinë siç është Serbia.
Sekretari i LDK-së i është përgjigjur edhe akuzave në drejtim të partisë së tij, ku është thënë se LDK ka qenë pengesë për themelimin e Ushtrisë më 2014.
Beqiri ka theksuar se këto akuza janë të pabaza.
“Janë akuza të pabaza ndaj LDK-së. Ne kemi qenë kundër vendeve të rezervuara për komunitetet jo shumicë. Asnjëherë nuk është thënë që formimi i ushtrisë do të ndodh në shkëmbim të vendeve të rezervuara…”, theksoi Beqiri.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, Beqiri u shpreh skeptik që ky proces do të mbyllet në fund të këtij viti.
“LDK është ajo që e hapi rrugën drejt liberalizimit, nëse dikush e ka bllokuar këtë proces janë pikërisht këta që janë në pushtet me dhunën e tyre. Jam skeptik që këtë vit do të ndodh liberalizimi”, tha ai.