Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se nëse kandidon për të marrë drejtimin e Prishtinës nuk ka dyshim se do të dalë fitues.
Ai ka deklaruar se ka aq shumë parregullsi dhe ngecje në kryeqytet, sa do të ketë shumë për çka ta kritikojë qeverisjen e Vetëvendosjes në katër vjetët e fundit.
“Sa i përket zgjedhjeve lokale në Prishtinë, padyshim që për ne kryeqyteti është komuna më e rëndësishme. Natyrisht që interesim të veçantë kemi për kryeqytetin. Jemi të bindur që mund ta kthejmë pushtetin në Prishtinë. Nuk mund ta fsheh faktin që tash e një kohë kam kërkesa nga strukturat dhe qytetarët që të jem kandidat për të parin e Prishtinës”.
“Nëse më jepet rasti, besoj dhe jam i bindur, që do t’i fitojmë zgjedhjet lokale në Prishtinë. Jam i bindur që kemi shumëçka t’u themi atyre që tani janë duke e drejtuar kryeqytetin. Këto katër vjet e kanë dëshmuar që në Prishtinë nuk është punuar. Unë nuk kam parë asnjëherë ndonjë pushtet lokal që ka bërë dëme më të mëdha gjatë qeverisjes, sesa që ka bërë pushteti aktual në Prishtinë”.
“Në sistemin arsimor të Prishtinës ka pasur një diskriminim të hatashëm të prishtinasve, thuajse Prishtina është qeveri e Kosovës. Edhe raporti i auditorit tregon shkelje të jashtëzakonshme që janë bërë në mandatin e kësaj qeverisje”.