Mbrojtësi i Sampdorias, Bartosz Bereszynski, ka treguar për ballafaqimin e tij me koronavirusin.
Bereszynski ishte në mesin e disa lojtarëve të Samdorias që rezultuan pozitiv me COVID-19, por polaku është shëruar tashmë, siç janë shëruar edhe bashkëlojtarët e tij.
“Unë e prisja në një mënyrë. Edhe para se të infektohesha, një bashkëlojtar tha se e kishte dhe 2-3 tjerë kishin temperaturë të lartë. Edhe unë pata këto probleme. Kur e zbulon se ke diçka të tillë, të godet. Menjëherë fillova të shqetësohesha për më të dashurit e mi. Kjo është arsyeja pse kemi kufizuar në minimum kontaktin. Është thënë se ata që po infektohen po kanë edhe probleme respiratore, por për fat të mirë unë nuk pata. U ndjeva i lodhur në dy javët e para, por është normale kur trupi të dobësohet nga sëmundja. Të hënën vrapova 7 kilometra për një orë e gjysmë, kështu që mendoj se është një hap I mirë drejt seancës së parë stërvitore. Nuk po ndjej asnjë pasojë të virusit”, ka thënë Bereszynski për “Canal +”.