Berisha: Bashkë me “Plisat” do ta emërojmë u.d. të kryetarit të Sigal Prishtinës

Prishtinë | 17 Jan 2026 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Bekë Berisha nuk do të jetë më kryetar i Sigal Prishtinës. Ai ka thënë se së bashku me “Plisat” dhe kryesinë e klubit do të emërohet një ushtrues detyre i kryetarit, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së mbajtur me krerët e tifogrupit “Plisat”, Berisha ka deklaruar se nuk ka dhënë dorëheqje por se e ka pothuajse të pamundur ta ushtrojë detyrën të cilën e kishte pranuar me shumë dëshirë.

“Nuk kam dhënë dorëheqje, jam në komunikim me të gjitha grupet, me dashamirë të basketbollit, të klubit, të tifozëve, të tifozëve Plisat dhe dihet që ka pasur disa keqkuptime dhe jam duke u munduar t’i sanjoj. Takimin që kemi pasur me përfaqësues të Plisave i kam ftuar për t’i dhënë propozimet e tyre se si të dalim nga ky ngërç, nga këto probleme, në mënyrë që ta atribuojmë punën tonë vetëm suksesit të klubit. Ata i kanë kërkesat e tyre, i kanë të mira, unë jam për t’i përkrahur, mirëpo duhet aspekti ligjor për të marrë vendimin për emërimin e ushtruesit të detyrës së presidentit dhe për të vazhduar me punë”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka shtuar se emërimi i ushtruesit të detyrës së presidentit do të bëhet në bashkëpunim me klubin dhe në bazë të propozimeve të tifozëve dhe dashamirëve të sportit, duke përmendur edhe angazhimet e tij të ardhshme politike si një pengesë të mundshme.

“Do të jetë propozim i tifozëve, i dashamirëve. Edhe unë, në bashkëpunim me klubin, do ta emëroj. Do të jem deri në një moment, sepse kam një segment kohor kur do të betohem si deputet dhe nuk e di se si do të jetë vendimi i Agjencisë Anti-Korrupsion dhe i klubit. Do të jetë i dashamirëve të sportit. Unë ndoshta do ta kem të pamundur ta ushtroj këtë detyrë dhe i falënderoj delegatët që ma kanë dhënë këtë detyrë”, ka përfunduar Berisha.

Berisha u emërua kryetar i klubit “bardhekaltër” më 14 janar, ndërsa dorëheqja e tij është bërë tri ditë më pas.

Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit para dy ditësh në një reagim ka thënë se Bekë Berisha duhet të zgjedhë ose të jetë deputet ose kryetar i klubit pasi përbën konflikt interesi. 

Ka pasur përplasje të shumta ndërmjet tifo-grupit “Plisat” dhe kryesisë së vjetër. Pakënaqësitë e “Plisave” kanë qenë të ashpra edhe pas emërimit të Bekë Berishës si kryetar i ri i klubit.

Të ngjashme