Ministri i FSK-së zoti Rrustem Berisha, sot bëri homazhe te varri i ish – presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e ditëlindjes së të ndjerit, me ç’rast shprehu konsideratën e lartë për personalitetin e tij: ,,Nderimi që po i bëjmë sot, në Ditëlindjen e Tij, Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugovës, është nderim i punës dhe angazhimit të tij, në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi dhe demokraci, për vendosjen e themelit të shtetit të Kosovës. Ne vazhdojmë idealin tuaj, dhe sot kemi shtetin e pavarur të Kosovës, shtet sovran të lidhur ngushtë në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian’’.
Gjithashtu, ministri Rrustem Berisha në shoqërim të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe familjarëve të dëshmorëve zhvilloi homazhe tek pllaka përkujtimore e Dëshmorëve të Kombit; Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi në Prishtinë. Me këtë rast ministri Berisha deklaroi: ,,Gjaku i dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës, është dëshmia më e mirë e përpjekjeve tona shekullore për Liri dhe Pavarësi. Dëshmorët Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi, do të kujtohen gjithmonë si idealist të lirisë, luftëtar të zot e trima’’.