Reprezentuesit e Kosovës, Valon Berisha e Florent Hadërgjonaj, pritet t’u japin fund vuajtjeve sa i përket minutazhës te skuadrat e tyre aktuale – Lazio dhe Huddersfield.
Që të dy futbollistët karrierën do ta vazhdojnë në skuadra të kampionateve të tjera, por që edhe në mjedisin e ri do të kenë vuajtje, por do të jenë më të ëmbla. Skuadrat ku Berisha e Hadërgjonaj do të luajnë në pjesën e dytë të këtij edicioni, po luftojnë për mbijetesë në kampionatet përkatëse.
Berisha pritet të huazohet te Fortuna Duesseldorfi në Bundesligë, derisa Hadërgjonaj një lëvizje të ngjashme do ta bëjë te skuadra Kasimpasa në Turqi. Futbollistët tashmë kanë arritur marrëveshje dhe pritet që gjatë këtyre ditëve të zyrtarizojnë kalimet. Fortuna Duesseldord pas 19 xhirove të zhvilluara në Bundesligë zë vendin e fundit në tabelë me 15 pikë, derisa edhe Kasimpasa ka pikë të njëjta në 19 ndeshje të luajtura në Turqi, por që renditet e 16-ta prej 18 ekipeve elitare.
“Mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj, do të huazohet në Turqi te Kasimpasa deri në fund të këtij edicioni. Trajneri i Huddersfieldit, Danny Cowely, ka dhënë dritën jeshile për një lëvizje të tillë të Hadërgjonajt”, ka shkruar sajti anglez “Footballinsider” të mërkurën.
Në fakt, Berisha të mërkurën është larguar nga Lazio për t’iu nënshtruar kontrollimeve mjekësore te Fortuna, derisa Hadërgjonaj nuk është aktivizuar fare te Huddersfieldi të martën mbrëma në Championshipin e Anglisë për të përfunduar sa më shpejt procedurat e huazimit te Kasimpasa.