Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën Asistentin e Sekretarit të Mbrojtjes së ShBA-ve, Robert S. Karem me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast ministri Berisha e falënderoi SHBA për ndihmën e gjithanshme për FSK-në si me angazhim të personelit po ashtu edhe për bashkëpunimin shumë intensiv dhe të gjithanshëm. Ky bashkëpunim kulmon sidomos me bashkëpunimin që ka FSK me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ministri Berisha foli edhe për standardin e lartë që ka FSK, përgatitjen profesionale si dhe angazhimet e shumta për të kryer me përkushtim detyrat në bazë të misionit aktual.
“Pas 19 vjet çlirim dhe 10 viteve të shpallje së pavarësisë, si dhe rekomandimeve të dala nga RSSSK, qytetarët dhe institucionet presin përfundimin e procesit të transformimit të FSK-së në FAK. Ky proces do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët strategjik, proces i cili do të jetë shumë transparent. FAK nuk paraqet rrezik për askënd sepse është forcë e gjithë qytetarëve dhe do të kontribuon në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Ministri foli për objektivat e ardhshëm; për ngritjen e pjesëmarrjes së komuniteteve dhe rritjes së përfaqësimit gjinorë; strategjinë e integrimit të komuniteteve jo shumicë; planin e integritet si ministri, shkallën e integritetit si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies”, tha ai.
Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Rrahman Rama nga ana tij theksoi se FSK është forcë profesionale, me koncept perëndimor dhe e mbështetur në koncepte dhe doktrinën amerikane. Mbi arritjet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar sidomos me shtet që janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe. Ai theksoi përfaqësimin e mirë në përqindje të komuniteteve pakicë; kryerjen me sukses të detyrave që dalin nga misioni aktual. Ndërsa përgatitjet për transformim janë kryer në të gjitha drejtimet, janë bërë planifikimet e afatizuara dhe përgatitjet e duhura.
Mysafiri nga ShBA-ja, Robert S. Karim shprehi kënaqësinë për pritjen dhe rastin e veçantë që ndodhet në vizitë në 10 vjetorin e festimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai foli po ashtu për interesimin e madh që ShBA-ja po i kushtojnë zhvillimeve në fushën e sigurisë në Ballkan dhe më gjerë. Me këtë rast ai vlerësoi lartë përkushtimin që procesi i transformimit të FSK-së të jetë transparent dhe mbi baza kushtetuese dhe me hapa të koordinuar me ShBA-ja dhe partnerët tjerë strategjik.