Valon Berisha është titullar i padiskutueshëm te Kosova, por te Lazio i duhet të luftojë për minuta. Aktivizimi në ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë mund t’i ndihmojë Berishës që të vlerësohet më shumë te Lazio, por mediat italiane kanë nisur të shkruajnë tashmë për një largim të mesfushorit që në afatin kalimtar të janarit.
26-vjeçari është në edicionin e dytë te skuadra nga Roma. Është pritur që këtë edicion të shpërthejë dhe të stabilizohet në përbërjen bazë, por gjërat nuk po ecin mirë për të, shkruan sot Koha Ditore.
Berisha të enjten luajti 90 minuta për Kosovën ndaj Çekisë në Plzen, ndërsa të dielën u aktivizua deri në minutën e 64-t në takim me Anglinë. Nuk është se ka bërë dallimin në këto ndeshje, të cilat Kosova i humbi dhe mbeti në vendin e tretë në grup.
Berisha tashmë u kthehet stërvitjeve te Lazio. Sipas gazetës “Il Messaggero”, ai i ka dy muaj që ta bindë Simone Inzaghin se është i vlefshëm për Lazion. Para se të grumbullohej me Kosovën, mesfushori qendror kishte luajtur në dy takime nga pak minuta për Lazion. Por në Ligën e Evropës, në takim me Celticun, kishte bërë gabim të rëndë në minutat e fundit, duke i mundësuar skuadrës skoceze që të shënojë fitore. Me atë humbje Lazio thuajse u eliminua nga faza grupore, ndërsa mediat në Itali e kanë kritikuar shumë reprezentuesin e Kosovës. “Il Messaggero” ka shkruar tutje të hënën që nëse Berisha nuk bind deri në janar, rrugët e tij dhe të Lazios do të ndahen.