Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha, ka thënë të premten se është i panevojshëm dhe i papranueshëm krijimi i një komisioni për matjen e territorit të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se në zgjidhjen e problemit të demarkacionit me Malin e Zi nuk do të mund të ketë asnjë lloj kontributi një komision i tillë.
“Mendoj se është i panevojshëm krijimi i këtij komisioni. Përderisa nuk e kemi të definuar kufirin, nuk ka arsye të matet sipërfaqja e Kosovës. Duhet të rinegociohet marrëveshja aktuale, sepse kufiri me Malin Zi duhet të jetë në Kullë dhe në Çakorr. Tek pas caktimit të kufirit komisione të caktuara duhet ta bëjnë matjen e territorit. Prandaj, tash për tash krijimi i një komisioni të tillë është i panevojshëm dhe i papranueshëm”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka bërë me dije se AAK-ja nuk do të jetë pjesë e këtij komisioni meqë Aleanca insiston që komisioni shtetëror që ka arritur marrëveshje të dëmshme të shkarkohet dhe marrëveshja e nënshkruar të hidhet poshtë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në atë komision. Aleanca i ka qëndrimet e qarta. Komisioni shtetëror që ka arritur marrëveshje të dëmshme duhet të shkarkohet dhe marrëveshja e nënshkruar duhet të hidhet poshtë. Pastaj duhet të rinegociohet marrëveshja dhe pika kufitare të caktohet në Kullë dhe në Çakorr”, ka theksuar Berisha, duke shtuar se është humbje kohe insistimi i qeverisë për ta ratifikuar marrëveshjen aktuale të demarkacionit me Malin e Zi.
“Është e pakuptimtë që Qeveria e Kosovës krijon vonesa të tilla kur secili qytetar e ka të qartë se marrëveshja për demarkacionin ka qenë e dëmshme dhe me anë të saj humbet territor vendi ynë. Është humbje kohe insistimi i qeverisë për ta ratifikuar marrëveshjen aktuale të demarkacionit me Malin e Zi. Prandaj i bëj thirrje qeverisë që sa më shpejt të bindet dhe ta zgjidhë drejt problemin e demarkacionit, qoftë duke shkarkuar komisionin shtetëror dhe duke shpallur të pavlefshme marrëveshjen e arritur. Apo qoftë edhe përmes arritjes së një marrëveshje politike që ta sjellë në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit në mënyrë që përmes votave të deputetëve ajo të shpallet e pavlefshme”, është shprehur deputeti Berisha.